Home / Lajme / Tjera / Planet energjetike të Evropës nuk përputhen, sfida edhe për Ballkanin Perëndimor

Planet energjetike të Evropës nuk përputhen, sfida edhe për Ballkanin Perëndimor

Planet energjetike dhe klimatike të 35 vendeve evropiane nuk garantojnë një tranzicion të koordinuar deri në vitin 2050, pavarësisht objektivave për uljen e konsumit të energjisë dhe të emetimeve. Një studim i publikuar në revistën shkencore Resources vlerëson se, edhe nëse planet zbatohen plotësisht, do të mbeten boshllëqe të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe hidrogjen të gjelbër.

Studimi, “A Simulation-Driven Assessment of 35 European National Energy and Climate Plans”, analizon planet kombëtare të energjisë dhe klimës të 35 vendeve, duke përfshirë pesë vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Kosova nuk është përfshirë në këtë vlerësim, përcjell Energy Monitor.

Studiuesit kanë simuluar zbatimin e plotë të planeve në një model të përbashkët të konsumit, prodhimit të energjisë dhe emetimeve të gazeve serrë, për të vlerësuar nëse objektivat kombëtare përputhen me njëri-tjetrin dhe krijojnë një rrugë të realizueshme drejt vitit 2050.

Mungesë e planifikimit të përbashkët

Sipas rezultateve të studimit, zbatimi i plotë i planeve do të mundësonte uljen e konsumit përfundimtar të energjisë me rreth 21% dhe të emetimeve të gazeve serrë nga energjia me rreth 65% ndërmjet viteve 2025 dhe 2050.

Megjithatë, kjo nuk do të mjaftonte për të arritur neutralitetin klimatik. Sipas simulimit, në vitin 2050 do të mbeteshin rreth 922 milionë tonë ekuivalentë të CO₂-shit në emetime.

Një tjetër problem është mospërputhja mes parashikimeve kombëtare për prodhimin dhe tregtinë e energjisë. Kur planet e 35 vendeve analizohen së bashku, ato krijojnë një nevojë neto për importe prej 115 teravatorësh energji elektrike dhe 79 teravatorësh hidrogjen të gjelbër në vitin 2050, pa u parashikuar se cilat vende do t’i furnizojnë këto sasi.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Evropa do të përballet me mungesë fizike të energjisë. Rezultati tregon se planet kombëtare nuk janë plotësisht të harmonizuara në parashikimet e tyre për prodhimin, konsumin dhe shkëmbimet ndërkufitare.

Sipas autorëve, koordinimi më i mirë mes vendeve është i domosdoshëm për të shmangur mospërputhjet dhe për të siguruar që kapacitetet e reja prodhuese, rrjetet dhe infrastruktura e nevojshme të zhvillohen në përputhje me kërkesën e ardhshme.

Ballkani Perëndimor në planet evropiane

Studimi përfshin pesë vende të Ballkanit Perëndimor, por tregon se planet e tyre ndryshojnë si për nga orientimi, ashtu edhe për nga niveli i hollësive dhe afati kohor.

Shqipëria e orienton planin kryesisht te furnizimi me energji dhe teknologjitë e prodhimit, ndërsa Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut i kushtojnë më shumë vëmendje anës së konsumit dhe uljes së kërkesës. Serbia, ndërkaq, paraqet një qasje më të balancuar mes furnizimit dhe konsumit.

Nga këto pesë vende, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë vendosur objektiva që shtrihen deri në vitin 2050. Plani i Bosnjë-Hercegovinës përfshihet gjithashtu në grupin e dokumenteve me horizont deri në vitin 2050 sipas klasifikimit të studimit, ndonëse vendi nuk e kishte dorëzuar ende një plan përfundimtar në kohën e vlerësimit, njofton Energy Monitor.

Në të gjithë grupin prej 35 vendesh, 16 plane përfundojnë në vitin 2030 ose 2040. Për këto vende, vlerësimet deri në vitin 2050 mbështeten pjesërisht në strategji afatgjata ose në vazhdimin e prirjeve të përcaktuara në planet ekzistuese. Kjo e bën më të vështirë krahasimin e drejtpërdrejtë të objektivave kombëtare.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, këto dallime kanë rëndësi për planifikimin e investimeve në burime të ripërtëritshme, rrjete të transmetimit, efiçiencë të energjisë dhe lidhje ndërkufitare. Koordinimi rajonal është veçanërisht i rëndësishëm për sistemet energjetike që mbështeten në shkëmbimet me vendet fqinje për të balancuar prodhimin dhe konsumin.

Planet nuk garantojnë zbatimin

Autorët theksojnë se rezultatet përfaqësojnë një skenar optimist, pasi supozojnë se të gjitha masat e planifikuara zbatohen plotësisht dhe në kohë. Në praktikë, vonesat në investime, kufizimet financiare, çmimet e energjisë dhe vështirësitë në zhvillimin e infrastrukturës mund ta bëjnë më të vështirë arritjen e objektivave.

Studimi rekomandon që vendet të harmonizojnë horizontet e planifikimit deri në vitin 2050, të përmirësojnë transparencën e të dhënave dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkufitar. Po ashtu, kërkohet që financimi, transferimi i teknologjisë dhe ngritja e kapaciteteve të orientohen edhe drejt ekonomive me më pak burime për ta përballuar tranzicionin, transmeton Energy Monitor.

Për Ballkanin Perëndimor, ku vendet kanë struktura dhe kapacitete të ndryshme energjetike, planifikimi i koordinuar mund të ndihmojë në shmangien e investimeve që nuk përputhen me nevojat rajonale dhe në shfrytëzimin më të mirë të burimeve të ripërtëritshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com