Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka kontraktuar edhe 17.9 milionë euro energji elektrike për të mbuluar konsumin deri më 1 nëntor, duke e çuar vlerën e blerjeve të kontraktuara për periudhën korrik–nëntor në rreth 132 milionë euro, pa TVSH.
Sipas rezultateve të publikuara nga KESH, në procedurën e fundit janë siguruar gjithsej 64,800 megavat-orë (MWh) energji elektrike, të ndara në dy lote. Pjesa më e madhe, 63,000 MWh, është kontraktuar me çmim mesatar të ponderuar prej 276.87 eurosh për MWh, ndërsa 1,800 MWh të tjera me 229.75 euro për MWh. Vlera e përgjithshme e kësaj blerjeje është rreth 17.9 milionë euro, pa TVSH.
Çmimi i lotit kryesor është dukshëm më i lartë se ai i procedurës së parë të blerjes për këtë vit, kur energjia për periudhën 1 korrik–30 shtator u kontraktua me çmim prej 125.47 eurosh për MWh. Sipas të dhënave të raportuara nga Scan TV, çmimi mesatar i procedurës së fundit është më shumë se dyfish më i lartë, përcjell Energy Monitor.
Me këtë blerje, sasia e energjisë së kontraktuar për periudhën korrik–nëntor arrin në rreth 777,500 MWh, me vlerë totale prej afro 132 milionë eurosh, pa TVSH.
Nevoja për importe lidhet me varësinë e prodhimit vendor nga hidrocentralet dhe kushtet hidrologjike. Në periudhat me më pak reshje, prodhimi hidroenergjetik mund të mos mjaftojë për të mbuluar kërkesën, duke e bërë të nevojshme blerjen e energjisë nga tregu. Megjithëse kapacitetet fotovoltaike në Shqipëri janë në rritje, sipas raportimit ato ende nuk e kanë ulur mjaftueshëm këtë varësi.



