Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka dorëzuar në Komisionin parlamentar për Ekonomi një analizë të pavarur për Projektligjin për Energjinë Elektrike, së bashku me amendamente konkrete që synojnë të përmirësojnë funksionimin e tregut, të forcojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të garantojnë pavarësinë e rregullatorit.
Raporti identifikon 15 fusha kryesore ku, sipas INDEP-it, projektligji duhet të ndryshohet ose të plotësohet për të siguruar rregulla më të qarta dhe zbatim më efektiv. Instituti e vlerëson projektligjin si një hap pozitiv drejt një tregu më të hapur, fleksibil dhe më të gjelbër të energjisë elektrike, por thekson se disa dispozita kërkojnë ndërhyrje para miratimit përfundimtar.
Ndër risitë që INDEP i mirëpret janë njohja e ruajtjes së energjisë, grumbullimit të shërbimeve energjetike, konsumatorëve aktivë dhe komuniteteve energjetike të qytetarëve. Këto mekanizma mundësojnë pjesëmarrje më të gjerë në treg dhe krijojnë hapësirë për vetëprodhim, bateri dhe forma të reja të organizimit të konsumatorëve, përcjell Energy Monitor.
Megjithatë, sipas institutit, vonesa në miratimin e legjislacionit energjetik, rreth dy deri në tre vjet krahasuar me afatin e përgjithshëm të përafrimit me kërkesat e Komunitetit të Energjisë, më 31 dhjetor 2023, nuk duhet të çojë në miratimin e nxituar të dispozitave të paqarta. INDEP kërkon që amendamentet të shqyrtohen para leximit të dytë.
INDEP kundërshton bartjen e të drejtave të aksionarit të KOSTT-it te ministria
Një nga çështjet kryesore të raportit është qeverisja e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, KOSTT. Projektligji parasheh bartjen e të drejtave të aksionarit te ministria përgjegjëse për infrastrukturën, ndryshim të cilin INDEP e kundërshton.
Instituti rekomandon që mbikëqyrja publike e aksionarit të mbetet nën Kuvend, përmes një komisioni profesional me tre përfaqësues. Sipas propozimit, emërimet në bordin e KOSTT-it duhet të bëhen përmes konkurseve publike dhe kritereve profesionale, duke respektuar edhe kërkesat për pavarësi dhe ndarje të veprimtarive në sektorin e energjisë.
INDEP vlerëson gjithashtu se Projektligji për Energjinë Elektrike duhet të shqyrtohet së bashku me Ligjin për Energjinë dhe një ligj të ri për Rregullatorin e Energjisë. Mungesa e këtij të fundit në pakon aktuale, sipas institutit, e lë reformën të paplotë, pasi Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i parashihen përgjegjësi më të gjera, raporton Energy Monitor.
Për këtë arsye, raporti kërkon garanci më të forta për pavarësinë e ZRRE-së, kapacitetet e saj profesionale, kompetencat hetimore dhe mundësinë për të shqiptuar sanksione. Instituti propozon që ZRRE-ja, brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, të publikojë një plan për zbatimin e kompetencave të reja, aktet nënligjore të nevojshme dhe burimet që i duhen për këtë proces.
Hapja e tregut dhe të drejtat e konsumatorëve
INDEP mbështet liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, por kërkon që procesi të zhvillohet sipas një udhërrëfyesi detyrues të miratuar nga ZRRE-ja. Sipas raportit, ky udhërrëfyes duhet të përcaktojë kategoritë e konsumatorëve, fazat dhe datat e hapjes së tregut, treguesit e gatishmërisë, detyrimet për informimin e qytetarëve dhe masat mbrojtëse. Konsumatorët duhet të njoftohen të paktën 90 ditë para kalimit në një fazë të re.
Raporti kërkon që shërbimi universal të mos nënkuptojë automatikisht të drejtën për çmime të rregulluara. INDEP propozon që furnizuesi i shërbimit universal të përzgjidhet përmes një procedure konkurruese, ndërsa nëse nuk përzgjidhet asnjë kompani, ZRRE-ja të caktojë përkohësisht një furnizues për jo më shumë se gjashtë muaj dhe ta përsërisë procedurën, njofton Energy Monitor.
Mbrojtja e konsumatorëve të cenueshëm mbetet një tjetër çështje e rëndësishme. INDEP kërkon masa të posaçme për personat që varen nga pajisjet mjekësore që kanë nevojë për energji elektrike, si dhe njoftim individual dhe mbështetje për konsumatorët para ndërprerjes së furnizimit në kuadër të shërbimit të furnizuesit të mundësisë së fundit. Çmimet për këtë shërbim, sipas raportit, duhet të bazohen në kostot e arsyetuara të furnizimit dhe balancimit, e jo në shtesa automatike ndëshkuese.
Për të forcuar të drejtat e konsumatorëve, instituti propozon që ndërrimi i furnizuesit të përfundojë teknikisht brenda 24 orësh në çdo ditë pune. Ai kërkon gjithashtu që konsumatorët të kenë qasje në një mjet krahasimi të ofertave që paraqet koston e përgjithshme vjetore, tarifat fikse, kohëzgjatjen e kontratës, kushtet e largimit dhe rreziqet e kontratave me çmime dinamike.
Bateritë dhe komunitetet energjetike kërkojnë rregulla të qarta
Projektligji krijon hapësirë për zhvillimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë dhe për vetëprodhuesit, por INDEP paralajmëron se rregullat duhet të parandalojnë tarifimin e dyfishtë për të njëjtat shërbime të rrjetit ose kostot që lidhen me ruajtjen e energjisë. Për vetëprodhuesit me kapacitet deri në 1 MW, raporti rekomandon procedura të thjeshtuara, ndërsa shpenzimet e kyçjes duhet të kufizohen në kostot e nevojshme, efikase dhe drejtpërdrejt të lidhura me kyçjen.
Komunitetet energjetike të qytetarëve vlerësohen si mundësi për përfshirje më të gjerë në treg, por INDEP kërkon që ato të mund të organizohen në forma të ndryshme juridike, përfshirë kooperativat dhe organizatat joqeveritare. Sipas raportit, rregullat duhet të parandalojnë kontrollin e këtyre komuniteteve nga kompani të mëdha ose aktorë të tjerë që do ta cenonin karakterin e tyre qytetar.
Në fushën e matjes inteligjente, instituti propozon një objektiv prej së paku 80 për qind të konsumatorëve të pajisur me matës inteligjentë brenda shtatë vjetësh, nëse një vlerësim pozitiv i kostove dhe përfitimeve e arsyeton investimin. Rekomandohen gjithashtu mbrojtja e të dhënave personale, qasja falas e konsumatorëve në të dhënat e tyre të konsumit dhe masa për të shmangur tarifimin e dyfishtë të matësve, transmeton Energy Monitor.
Raporti trajton edhe kompetencat për masa emergjente gjatë kufizimeve në furnizimin me energji. INDEP rekomandon rikthimin e kontrollit parlamentar, duke propozuar që masat t’i dërgohen Kuvendit brenda tri ditësh dhe të miratohen brenda shtatë ditësh; në të kundërtën, ato duhet të pushojnë së zbatuari.
INDEP identifikon gjithashtu gabime teknike në projektligj, përfshirë pragje të pasakta të emetimeve për mekanizmat e kapaciteteve dhe referenca ose numërtime të gabuara ligjore. Për institutin, këto çështje duhet të korrigjohen para miratimit.
Në përfundim, INDEP u bën thirrje deputetëve që t’i shqyrtojnë 15 fushat e propozuara për ndryshime dhe ta trajtojnë Projektligjin për Energjinë Elektrike në koordinim me legjislacionin tjetër energjetik. Raporti është mbështetur nga Rockefeller Brothers Fund, ndërsa INDEP thekson se qëndrimet dhe rekomandimet e paraqitura janë të vetë institutit.



