Ministria e Ekonomisë ka themeluar një task-forcë ndërinstitucionale për të koordinuar përgatitjet për furnizimin me energji elektrike gjatë sezonit dimëror 2026–2027. Vendimi vjen në një kohë kur Kosova përballet me kufizime në prodhimin vendor dhe me çmime dukshëm më të larta të energjisë në tregjet rajonale.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se task-forca do të monitorojë vazhdimisht gjendjen e furnizimit, do të koordinojë përditësimin e bilancit dimëror dhe do të hartojë një plan veprimi me masa konkrete, përgjegjësi institucionale dhe afate kohore.
Në të përfshihen përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), KEDS-it, KESCO-s, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përcjell Energy Monitor.
Sipas Rizvanollit, task-forca do t’i raportojë Ministrisë së Ekonomisë çdo javë, ndërsa njoftimi duhet të bëhet menjëherë në rast se identifikohet ndonjë rrezik për furnizimin me energji elektrike.
Vetëm në Shtator çmimet u rritën 75% krahasuar me periudhën e njejtë të vitit paraprak
Ministrja e ka lidhur këtë mekanizëm koordinues me kufizimet e prodhimit vendor dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Sipas saj, në shtator të vitit 2026, çmimi mesatar në tregun e ditës përpara ishte rreth 75 për qind më i lartë se në të njëjtin muaj të vitit paraprak në bursën hungareze HUPEX. Në ALPEX, për zonën e Kosovës, rritja ishte rreth 50 për qind.
Rizvanolli ka përmendur edhe rritjen e kërkesës globale për energji elektrike dhe pasojat e luftës në Iran si faktorë që kanë shtuar presionin mbi sistemet energjetike dhe kostot e furnizimit, raporton Energy Monitor.
Përgatitjet për dimër zhvillohen në një periudhë kur kapacitetet vendore po ndikohen nga punimet dhe ndërhyrjet në termocentrale. Rehabilitimi i njësive të KEK-ut pritet të kufizojë prodhimin në periudha të caktuara, duke shtuar nevojën për sigurimin e energjisë nga importi.
Në planifikimet e publikuara më herët, ZRRE-ja kishte ngritur shqetësime për ndikimin e ndaljeve të planifikuara të njësive të KEK-ut në sigurinë e furnizimit. Ndërhyrjet në blloqet e termocentraleve synojnë modernizimin dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së tyre, por njëkohësisht krijojnë nevojë për menaxhim më të kujdesshëm të bilancit energjetik.
Kontraktimi i energjisë për konsumatorët mbetet detyrim i furnizuesve të licencuar
Rizvanolli ka sqaruar gjithashtu ndarjen e përgjegjësive mes institucioneve dhe kompanive të sektorit. Ministria e Ekonomisë është përgjegjëse për hartimin e politikave energjetike dhe zbatimin e strategjisë, ndërsa ZRRE-ja mbikëqyr përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rregullatore nga ndërmarrjet e licencuara dhe monitoron sigurinë e furnizimit.
KOSTT-i është përgjegjës për operimin e sigurt të sistemit të transmetimit dhe balancimin, KEK-u për operimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve të veta prodhuese, ndërsa KEDS-i për operimin dhe zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes.
Ministrja ka theksuar se sigurimi dhe kontraktimi i energjisë për furnizimin e konsumatorëve mbetet detyrim i furnizuesve të licencuar. Kjo nënkupton se themelimi i task-forcës nuk e bart përgjegjësinë për blerjen e energjisë te Ministria, por synon koordinimin dhe monitorimin e përgatitjeve ndërmjet institucioneve dhe operatorëve.
Varësia nga importi dhe ndikimi i çmimeve në tregjet rajonale mbeten ndër sfidat kryesore të sistemit energjetik të Kosovës, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë, kur rritet konsumi për ngrohje.



