Kosova rezulton me një kosto orientuese prej 81 eurosh për megavat-orë (MWh) të energjisë elektrike të eksportuar drejt Bashkimit Evropian, sipas mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufij (CBAM), raporton Kujdestari.info.
Të dhënat janë paraqitur në raportin “CBAM Quarterly Report 2026/3”, të publikuar më 30 tetor 2026 nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, i cili analizon zhvillimet në tregun e energjisë gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, përkatësisht periudhën korrik-shtator.
Me këtë kosto, Kosova renditet ndër vendet me ngarkesën më të lartë orientuese të karbonit në Ballkanin Perëndimor. Më lart qëndrojnë Bosnjë-Hercegovina, me 94,5 euro/MWh, dhe Serbia, me 85,7 euro/MWh.
Ndërsa pas Kosovës renditet Mali i Zi, me 80,6 euro/MWh, dhe Maqedonia e Veriut, me 73 euro/MWh. Shqipëria paraqitet me kosto orientuese zero, për shkak se vlera standarde e emetimeve të karbonit për energjinë elektrike të saj të importuar në BE është zero.
Përllogaritjet bazohen në vlerat standarde të emetimeve të karbonit dhe çmimin e certifikatës CBAM, i cili gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026 ishte 82,32 euro për ton ekuivalent CO₂, apo 9,4 për qind më i lartë se në tremujorin paraprak.
Raporti sqaron se këto janë kosto orientuese dhe jo domosdoshmërisht shuma që operatorët kanë paguar. Përdorimi i të dhënave reale të emetimeve, në vend të vlerave standarde, lejohet vetëm në përputhje me kushtet e përcaktuara në rregulloren evropiane.
Kjo nënkupton se energjia elektrike e Kosovës, për shkak të emetimeve të larta të karbonit nga prodhimi me thëngjill, përballet me një kosto orientuese prej 81 eurosh për çdo megavat-orë (MWh) të eksportuar drejt tregut të Bashkimit Evropian, duke e bërë atë më pak konkurruese në këtë treg.
Kosova po e ndien këtë kosto për shkak të varësisë së madhe nga termocentralet me qymyr, të cilat emetojnë sasi të larta të CO₂-së, duke e bërë energjinë e prodhuar në vend më pak konkurruese në tregun evropian.
Kujtojmw se, mekanizmi CBAM ka hyrë në fuqi në fazën përfundimtare më 1 janar 2026, pas një periudhe kalimtare që kishte nisur më 1 tetor 2023 dhe kishte zgjatur deri më 31 dhjetor 2025. Nga kjo datë, importuesit në BE kanë detyrimin të përmbushin obligimet përkatëse të raportimit dhe blerjes së certifikatave të karbonit.
Ndërkohë, Kosova dhe Shqipëria kanë shënuar rritje të aktivitetit në bursën e përbashkët të energjisë ALPEX. Vëllimet e tregtuara në tregun e një dite përpara u rritën për 46,2 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, që përbën rritjen më të lartë ndër katër bursat e energjisë të përfshira në raport.
Në nivel rajonal, vëllimet e tregtuara në bursat e energjisë u rritën për 26,7 për qind, duke arritur në rreth 2,97 teravat-orë (TWh).
Raporti evidenton kështu dallime të konsiderueshme ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor sa i përket kostos orientuese të karbonit, ku Kosova, për shkak të intensitetit të emetimeve të llogaritura sipas vlerave standarde, mbetet ndër vendet me ngarkesën më të lartë. /Kujdestari.info



