Home / Lajme / Rajoni / Mali i Zi pritet të mbyllë kapitullin e energjisë në negociatat me BE-në

Mali i Zi pritet të mbyllë kapitullin e energjisë në negociatat me BE-në

Mali i Zi pritet të marrë më 19 nëntor miratimin për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 15 të negociatave me Bashkimin Evropian, që mbulon sektorin e energjisë.

Sipas Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, vendi ka përmbushur kriteret e kërkuara për këtë kapitull. Qeveria malazeze ka miratuar edhe pozicionin e përditësuar negociues, duke hapur rrugën për vendimin në konferencën ndërqeveritare që do të mbahet në Bruksel.

Ministri i Energjisë, Admir Šahmanović, e ka cilësuar këtë zhvillim si rezultat të reformave për modernizimin e sektorit energjetik.

Reformat përfshijnë përafrimin e tregut të energjisë elektrike me atë të Bashkimit Evropian, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme, rritjen e efiçiencës energjetike dhe krijimin e rezervave strategjike të produkteve të naftës, përcjell Energy Monitor.

Mbyllja e kapitullit do të ishte një hap tjetër drejt integrimit evropian të Malit të Zi, i cili synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2026.

Më 6 nëntor, Mali i Zi mbylli përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë, për lëvizjen e lirë të mallrave dhe sigurinë ushqimore. Me këtë zhvillim, numri i kapitujve të mbyllur përkohësisht arriti në 23.

Qeveria e kryeministrit Milojko Spajić synon nënshkrimin e marrëveshjes së anëtarësimit gjatë vitit 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian në vitin 2028.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com