Italia ka 262 qendra të të dhënave me kapacitet të përgjithshëm prej 760 MW, ndërsa për periudhën 2026–2028 janë planifikuar investime të reja me vlerë 25,4 miliardë euro. Zgjerimi i këtij sektori po nxitet nga zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe kërkesa në rritje për shërbime digjitale.
Sipas të dhënave të publikuara nga Corriere della Sera, të raportuara nga Tetova News, qeveria italiane ka miratuar shtatë projekte të reja strategjike, ku përfshihen investime nga kompani të mëdha teknologjike si Amazon dhe Equinix.
Pesë nga projektet e reja pritet të ndërtohen në Lombardi, kryesisht në zonën e Milanos, ku është përqendruar rreth 70 për qind e kapacitetit aktual të qendrave të të dhënave në Itali.
Zgjerimi i këtyre objekteve paraqet sfidë për sektorin energjetik, pasi serverët duhet të furnizohen me energji elektrike pa ndërprerje, ndërsa kërkojnë edhe sisteme të fuqishme ftohjeje. Kjo rrit nevojën për kapacitete të reja të furnizimit dhe lidhje me rrjetin elektrik.
Qeveria italiane po synon që investimet të shtrihen edhe në jug të vendit, ku ka zona industriale të braktisura dhe potencial më të madh për shfrytëzimin e energjisë së ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.
Një nga projektet është ai i kompanisë zvicerane Energy Vault në ish-minierën e qymyrit Monte Sinni, në Sardenjë. Investimi, me vlerë rreth 1,5 miliardë euro, ka marrë statusin e projektit me rëndësi strategjike kombëtare. Një tjetër projekt i madh po shqyrtohet në Sicili.
Megjithatë, zgjerimi i qendrave të të dhënave ka nxitur edhe kundërshtime nga komunitetet lokale, veçanërisht në Lombardi. Shqetësimet lidhen me konsumin e energjisë dhe ujit, përdorimin e tokës dhe ndikimin në mjedis.
Sipas vlerësimeve të Shoqatës Italiane të Qendrave të të Dhënave, investimet e planifikuara mund të mbështesin rreth 26 mijë vende pune ekuivalente me orar të plotë, kur projektet të jenë plotësisht funksionale.
Ndërkohë, rajoni i Lombardisë ka miratuar rregulla për kufizimin e përdorimit të tokave bujqësore dhe nxitjen e zgjidhjeve më të qëndrueshme për ndërtimin e këtyre objekteve. Autoritetet po shqyrtojnë edhe ndryshime të mëtejshme ligjore për shkak të kundërshtimeve ndaj projekteve të reja.



