Home / Lajme / Rajoni / AYEN i detyrohet shtetit shqiptar 59 milionë kWh energji që nga viti 2014

AYEN i detyrohet shtetit shqiptar 59 milionë kWh energji që nga viti 2014

Ndërkohë që Shqipëria po përballet me një krizë të rëndë energjetike dhe KESH po shpenzon qindra milionë euro për të siguruar energji nga importi, kompania turke AYEN AS Energji rezulton se prej vitit 2014 nuk i ka dorëzuar shtetit shqiptar energjinë elektrike që i detyrohet sipas kontratës koncesionare.

Kompania turke AYEN AS Energji nuk i ka dorëzuar shtetit shqiptar rreth 59 milionë kilovat-orë energji elektrike, të cilat i detyrohet sipas kontratës koncesionare për hidrocentralet në lumenjtë Fan i Madh dhe Fan i Vogël.

Sipas një hulumtimi të Skyweb.al, detyrimi është krijuar që nga viti 2014, ndërsa vlera e energjisë së papaguar mund të arrijë deri në 21.5 milionë euro, nëse llogaritet me çmimet e fundit të importit të energjisë.

Kontrata parashikon që kompania t’i dorëzojë shtetit shqiptar 2,1 për qind të energjisë që prodhon nga hidrocentralet e saj. Megjithatë, ky detyrim nuk është përmbushur ndër vite.

Çështja merr rëndësi të veçantë në një kohë kur Shqipëria po shpenzon miliona euro për importin e energjisë elektrike. Vetëm gjatë periudhës korrik–nëntor 2026, KESH ka kontraktuar mbi 900 mijë MWh energji, me vlerë prej rreth 172,6 milionë eurosh, përcjell Energy Monitor.

AYEN AS Energji ka raportuar fitim neto prej rreth 1,04 miliardë lekësh për vitin 2025. Në pasqyrat financiare, kompania pranon se energjia që duhet t’i dorëzohet shtetit nuk është dorëzuar, duke argumentuar se ende nuk janë përcaktuar kushtet dhe metodologjia e dorëzimit.

Sipas hulumtimit, kompania nuk ka dhënë përgjigje ndaj pyetjeve të dërguara nga Skyweb.al lidhur me këtë çështje.

Rasti ngre pikëpyetje për zbatimin dhe mbikëqyrjen e kontratave koncesionare në sektorin energjetik të Shqipërisë, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me nevojën për importe të konsiderueshme të energjisë elektrike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com