Home / Lajme / Kosova / Komisioni për Ekonomi miraton dy projektligje për energjinë

Komisioni për Ekonomi miraton dy projektligje për energjinë

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka miratuar Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë dhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, pas prezantimit të tyre nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Gjatë mbledhjes së mbajtur të martën, Rizvanolli prezantoi objektivat dhe mekanizmat që parasheh Projektligji për Efiçiencën e Energjisë, duke theksuar se synohet arritja e kursimeve prej rreth 0.8% të konsumit të energjisë, duke filluar nga viti i parë i zbatimit.

Ndër masat e parapara janë renovimi i ndërtesave në pronësi të shtetit që ngrohen ose ftohen, si dhe subvencionimi i pajisjeve efiçiente, të cilat kanë konsum dukshëm më të ulët të energjisë. Pas diskutimeve me deputetët, projektligji u miratua në parim nga Komisioni, përcjell Energy Monitor.

Në të njëjtën mbledhje, ministrja prezantoi edhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë. Sipas saj, ndryshimet synojnë forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve, përmes përcaktimit më të qartë të përgjegjësive të rregullatorit, monitorimit të cilësisë së shërbimeve dhe garantimit të të drejtave të konsumatorëve.

Edhe ky projektligj mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit.

Në rend dite ishte edhe shqyrtimi i vendimit të presidentes lidhur me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Pas diskutimeve, Komisioni vendosi që çështja t’i kthehet ministrisë përkatëse, si sponsorizuese e ligjit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com