Sipas tij, strategjia ishte përqendruar kryesisht në masat për efiçiencë të energjisë, duke lënë anash investimet në kapacitete të reja prodhuese.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për politikat energjetike, duke vlerësuar se Strategjia e Energjisë, e miratuar në Kuvend para katër vitesh, ka dështuar të sigurojë kapacitete të reja prodhuese dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
Ai tha se prodhimi i energjisë elektrike aktualisht është më i ulët se në vitin 2016, ndërsa bizneset dhe familjet po përballen me kosto më të larta.
“Sot, pasojat po i bartim të gjithë. Prodhimi është më i ulët se në vitin 2016. Sot, bizneset paguajnë deri në trefish më shumë dhe asgjë nuk kanë të sigurt sa i përket furnizimit. Familjet gjithashtu po paguajnë më shtrenjtë”.
Sipas tij, strategjia ishte përqendruar kryesisht në masat për efiçiencë të energjisë, duke lënë anash investimet në kapacitete të reja prodhuese.
“I gjithë fokusi i strategjisë ka qenë te masat për efiçiencë, në vend që të fokusohet në krijimin e kapaciteteve të reja”.
Hoti ka kritikuar gjithashtu mospërfshirjen e projektit të gazit dhe projektit “Kosova e Re” në strategji, duke pretenduar se anulimi i tyre ka ndikuar në gjendjen aktuale të sektorit energjetik.
Ai ka reaguar gjithashtu ndaj Qeverisë edhe për paralajmërimet se dimri i ardhshëm do të jetë i vështirë për qytetarët, pavarësisht viteve të kaluara në pushtet.
/albanianpost.com



