Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar projektligjin e ri për efiçiencën energjetike, i cili synon të krijojë një kuadër të përgjithshëm masash për promovimin dhe përmirësimin e përdorimit efikas të energjisë në vend.
Vendimi u mor në mbledhjen e qeverisë të enjten, më 12 nëntor, ku krahas projektligjit për efiçiencën energjetike u miratuan edhe ndryshime në ligjin për sigurinë kibernetike dhe në atë për ndihmën shtetërore.
Projektligji për efiçiencën energjetike synon të përcaktojë bazën ligjore për avancimin e politikave dhe masave që ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë dhe përmirësimin e efikasitetit të saj në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përcjell Energy Monitor.
Në të njëjtën mbledhje, qeveria shqiptare miratoi edhe ndryshime në mekanizmin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe vendime të tjera që lidhen me organizimin institucional dhe zonat e mbrojtura.
Për sektorin e energjisë, miratimi i projektligjit përbën një hap në zhvillimin e kuadrit rregullator për efiçiencën energjetike, një fushë me rëndësi për uljen e shpenzimeve të konsumatorëve, përmirësimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe reduktimin e konsumit të energjisë.



