Tregu botëror i naftës ka kaluar në tepricë furnizimi për herë të parë që nga fillimi i luftës mes SHBA-së dhe Iranit, por çmimet e karburanteve vazhdojnë të mbeten të larta për shkak të mungesës së kapaciteteve të rafinimit dhe rezervave të pakësuara gjatë muajve të krizës energjetike.
Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), oferta globale e naftës e tejkaloi kërkesën me pothuajse 2 milionë fuçi në ditë gjatë tetorit. Agjencia ka rishikuar edhe të dhënat e shtatorit, duke vlerësuar se tregu kishte një tepricë prej 600 mijë fuçish në ditë, në vend të deficitit të vogël të parashikuar më parë.
Rikthimi i furnizimeve nga vendet e Gjirit Persik, rritja e prodhimit në rajone të tjera dhe dobësimi i konsumit kanë ndihmuar në përmirësimin e ekuilibrit të tregut, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ndaj transportit detar në Lindjen e Mesme.
IEA parashikon që oferta të vazhdojë të tejkalojë kërkesën gjatë tremujorit të fundit të vitit 2026 dhe gjatë vitit 2027.
Çmimi i naftës Brent, që kishte arritur në rreth 136 dollarë për fuçi në fillim të tetorit, ka zbritur në afërsisht 95 dollarë. Megjithatë, rënia e çmimit të naftës bruto nuk po shoqërohet me të njëjtin lehtësim në tregun e karburanteve.
Problemi kryesor mbetet mungesa e produkteve të rafinuara, veçanërisht e naftës diesel dhe karburantit të avionëve. Pjesa më e madhe e furnizimit shtesë që po hyn në treg është naftë bruto, ndërsa kapacitetet e rafinimit vazhdojnë të jenë të kufizuara.
Sipas IEA-së, rezervat globale të vëzhguara të naftës u rritën me një ritëm mesatar prej 1.7 milionë fuçish në ditë gjatë tetorit, pas tre muajve kur ato kishin rënë me një ritëm mesatar prej 1.9 milionë fuçish në ditë.
Por rikuperimi i rezervave do të kërkojë kohë, pasi ndërprerjet e furnizimit gjatë tetë muajve të fundit kanë ulur ndjeshëm rezervat, veçanërisht ato të karburanteve të përpunuara.
Kriza ka ndikuar edhe në kërkesën botërore. IEA parashikon që konsumi global i naftës të bjerë me 2.7 milionë fuçi në ditë gjatë vitit 2026, përpara një rikuperimi me rreth 2 milionë fuçi në ditë vitin e ardhshëm.
Çmimet e larta të energjisë kanë rënduar kostot e transportit, prodhimit dhe aktivitetit ekonomik, duke kufizuar konsumin në shumë vende.
Për ekonomitë që varen nga importet e karburanteve, përfshirë Shqipërinë, zhvillimet në tregun e produkteve të rafinuara mbeten veçanërisht të rëndësishme. Edhe nëse nafta bruto vazhdon të bjerë në bursat ndërkombëtare, presioni mbi çmimet e naftës diesel mund të zgjasë më shumë, duke ndikuar kostot e transportit dhe të bizneseve.
Burimi/Financial Times



