Home / Lajme / Kosova / Kosova bëhet pjesë e zgjerimit të CESEC-ut me Çekinë dhe Poloninë

Kosova bëhet pjesë e zgjerimit të CESEC-ut me Çekinë dhe Poloninë

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka marrë pjesë në takimin ministror të Iniciativës për Ndërlidhjen e Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC), të mbajtur në Zagreb, ku është diskutuar bashkëpunimi rajonal dhe integrimi i tregjeve të energjisë.

Një nga zhvillimet kryesore të takimit ishte zgjerimi i CESEC-ut me Çekinë dhe Poloninë, përmes një memorandumi të nënshkruar edhe në emër të Kosovës nga zëvendësministri Mjeku.

Në takimin me Komisionerin Evropian për Energji dhe Strehim, Dan Jørgensen, dhe ministrat e vendeve pjesëmarrëse, Kosova prezantoi reformat në sektorin e energjisë dhe projektet e ndërlidhjes elektroenergjetike me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përcjell Energy Monitor.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, këto projekte kanë rëndësi për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e tregut rajonal, ndërsa diskutimet u përqendruan edhe në zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe rritjen e kapaciteteve për tregtinë ndërkufitare.

Në takim u ngrit edhe çështja e pengesave që Serbia vazhdon t’i shkaktojë tregtisë ndërkufitare të energjisë me Kosovën, duke mos vënë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare. Kosova kërkoi adresimin e kësaj çështjeje dhe respektimin e detyrimeve që burojnë nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, transmeton Energy Monitor.

Ministria e Ekonomisë tha se Kosova synon të avancojë integrimin në tregun evropian të energjisë përmes reformave, investimeve në infrastrukturë dhe bashkëpunimit rajonal.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com