Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është rritur për 10.74 për qind në shtator 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, ndërsa importi ka shënuar rënie të lehtë prej 2.66 për qind.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), konsumi i përgjithshëm arriti në 386.10 gigavat-orë (GWh), krahasuar me 348.67 GWh në shtator 2025.
Rritja më e madhe e konsumit në terma absolutë është regjistruar te amvisëritë, të cilat kanë shpenzuar 200.41 GWh, apo 11.01 për qind më shumë se një vit më parë. Sektori komercial ka shënuar rritje prej 13.66 për qind, ndërsa industria prej 8.43 për qind, përcjell Energy Monitor.
Amvisëritë përbënin 51.9 për qind të konsumit të përgjithshëm, sektori komercial 30 për qind dhe industria 12.9 për qind.

Ndërkohë, prodhimi bruto i energjisë elektrike nga era dhe dielli është pothuajse dyfishuar. Në shtator, ky prodhim arriti në 38.16 GWh, nga 19.45 GWh në të njëjtin muaj të vitit 2025, duke shënuar rritje prej 96.23 për qind.
Pjesëmarrja e energjisë elektrike nga era dhe dielli në konsumin e përgjithshëm ishte 11.2 për qind. Rritje prej 31.24 për qind është regjistruar edhe në prodhimin nga hidrocentralet, ndërsa prodhimi bruto nga termocentralet është rritur për 3.81 për qind.
Sa i përket shkëmbimeve me jashtë, Kosova ka importuar 308.37 GWh energji elektrike dhe ka eksportuar 274.23 GWh. Këto shifra përfshijnë edhe sasitë e energjisë për transmision dhe transit, raporton Energy Monitor.
Përkundër faktit se importi ka qenë më i lartë se eksporti, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, importi ka rënë për 2.66 për qind, ndërsa eksporti është rritur për 2.24 për qind.
Energjia elektrike bruto në dispozicion gjatë shtatorit arriti në 467.69 GWh, me rritje prej 4.42 për qind në baza vjetore.
Ndërkaq, prodhimi i thëngjillit arriti në 509,853 tonë, duke shënuar rënie prej 1.12 për qind krahasuar me shtatorin 2025.
Të dhënat janë publikuar nga ASK-ja më 16 nëntor, në raportin e statistikave të energjisë për shtatorin 2026.



