Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se vendimi i Qeverisë për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe nuk nënkupton se deri më tani Kosova ka importuar energji elektrike nga Serbia.
Ajo ka deklaruar se KEK-u, KOSTT-i, KEDS-i dhe KESCO nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe gjatë mandatit të qeverisë aktuale, ndonëse një aktivitet i tillë nuk ka qenë i ndaluar deri më sot.
Rizvanolli ka shpjeguar se vendimi i ri përfshin kompanitë serbe, përfshirë ato që kanë kompani amë, aksionarë apo lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me shtetas serbë.
Në një deklarim tjetër, e pyetur pse ndalimi nuk ishte bërë më herët, ministrja tha se Qeveria fillimisht kishte synuar zgjidhjen e çështjes përmes mekanizmave ndërkombëtarë dhe presionit ndaj Serbisë për hapjen e linjave ndërkufitare të transmetimit, përcjell Energy Monitor.
Sipas saj, në dhjetor të vitit 2025, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë kishte konstatuar shkeljen e traktatit nga Serbia dhe i kishte dhënë afat deri më 1 korrik 2026 për zbatimin e vendimit. Meqë Serbia nuk e kishte përmbushur këtë obligim, Kosova kishte bërë edhe një përpjekje përmes Bashkimit Evropian, para se të vendoste për ndalimin e tregtisë.
Ministrja ka theksuar se kërkesa për hapjen e linjave nuk lidhet me synimin për të importuar energji nga Serbia, por me mundësinë e tranzitimit të energjisë nga vendet e tjera. Bllokimi i tyre vështirëson edhe furnizimin përmes bursës hungareze HUPX, një prej bursave më likuide në rajon.
Ajo ka rikujtuar se që nga viti 2020, kur Kosova është ndarë nga blloku rregullues energjetik me Serbinë dhe ka filluar të funksionojë si bllok i pavarur rregullues në kuadër të bllokut Kosovë-Shqipëri, Serbia ka mbajtur të bllokuara linjat për alokim komercial dhe tregtim, transmeton Energy Monitor.
Përjashtim nga vendimi i ri do të bëhet për furnizuesin e themeluar në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit për komunat veriore të Kosovës, për të cilin Rizvanolli tha se, sipas informatave të Qeverisë, furnizohet me energji nga Serbia.
Ndërkohë, vendimi për ndalimin e tregtisë me kompanitë serbe është marrë në mbledhjen e Qeverisë më 16 nëntor, në të cilën janë shpallur edhe masa emergjente për energjinë elektrike për një periudhë dy mujore.



