Home / Lajme / Tjera / Projektvendimi i COP31 bën thirrje për trefishimin e financimit për përshtatjen klimatike në 120 miliardë dollarë

Projektvendimi i COP31 bën thirrje për trefishimin e financimit për përshtatjen klimatike në 120 miliardë dollarë

Marrëveshja e propozuar për klimën u bën thirrje vendeve të zhvilluara të rrisin financimin për vendet në zhvillim deri në vitin 2035, ndërsa ministri australian paralajmëron se jo të gjitha palët do të pajtohen me dispozitat e projektvendimit

Një projektvendim i COP31, bën thirrje për trefishimin e financimit vjetor për përshtatjen klimatike në vendet në zhvillim, në të paktën 120 miliardë dollarë deri në vitin 2035, si dhe për përshpejtimin e tranzicionit larg karburanteve fosile, transmeton Anadolu.

Dokumenti prej 18 faqesh, i datës 16 nëntor dhe i përgatitur nën presidencën e COP31, u bën thirrje vendeve të zhvilluara të rrisin kontributin e tyre të përbashkët për financimin e përshtatjes klimatike dhe të paraqesin një udhërrëfyes për përmbushjen e objektivit.

Ai propozon një rrugë zbatimi me afate të përcaktuara, piketa të qarta dhe mekanizma për monitorimin e përparimit.

Projektvendimi synon gjithashtu të vendosë një ekuilibër mes financimit për përshtatjen dhe atë për zbutjen e ndryshimeve klimatike, në kuadër të objektivit më të gjerë për mobilizimin e të paktën 300 miliardë dollarëve në vit deri në vitin 2035.

Përshpejtimi i tranzicionit larg karburanteve fosile

Sa i përket energjisë, teksti bën thirrje për përshpejtimin e tranzicionit larg karburanteve fosile në mënyrë “të drejtë, të rregullt dhe të barabartë”.

Ai gjithashtu bën thirrje për një tranzicion të menjëhershëm larg karburanteve fosile dhe heqjen graduale të subvencioneve joefikase për karburantet fosile.

Projektvendimi propozon rritjen e pjesës së energjisë elektrike në konsumin përfundimtar të përgjithshëm të energjisë në 35 për qind deri në vitin 2035.

Ai gjithashtu bën thirrje për trefishimin e kapacitetit global të energjisë së rinovueshme dhe dyfishimin e ritmit vjetor të përmirësimit të efikasitetit energjetik deri në vitin 2030.

Dokumenti bën thirrje për masa më të forta për reduktimin e emetimeve të metanit përmes përmirësimit të monitorimit, zbulimit dhe riparimit të rrjedhjeve, krahas eliminimit të djegies dhe çlirimit rutinë të gazit.

Propozime të tjera përfshijnë hartimin e një “Udhërrëfyesi Antalya-Addis Ababa për Financimin e Përshtatjes dhe Rezistencës”.

Nisma do të identifikonte burime të parashikueshme dhe të zgjeruara financimi për përshtatjen klimatike dhe humbjet e dëmet e lidhura me klimën, ndërsa një raport parashikohet të shqyrtohet në COP32 në vitin 2027.

Teksti propozon gjithashtu krijimin e një programi të posaçëm pune për malet dhe ndryshimet klimatike.

Një tjetër program i propozuar do të shqyrtonte aspektet shkencore të tejkalimit të përkohshëm të pragut prej 1,5 gradësh Celsius të ngrohjes globale dhe më pas të rikthimit të temperaturave nën këtë prag.

“Jo të gjitha palët do të pajtohen”

Ministri australian i Ndryshimeve Klimatike dhe Energjisë, Chris Bowen, pranoi se disa dispozita të projektvendimit ka të ngjarë të shkaktojnë ndarje mes negociatorëve.

“Ka elemente në këtë projektvendim me të cilat jo të gjitha palët do të pajtohen”, tha Bowen në një konferencë për media në Antalya pas publikimit të dokumentit.

Ai theksoi se dokumenti ishte një projektfillestar dhe se do t’i nënshtrohej negociatave të mëtejshme.

Bowen tha se qëllimi i negociatave ishte arritja e një rezultati të mirëfilltë dhe domethënës.

“Por, natyrisht, në ditët në vijim do të përqendrohemi në ato çështje për të cilat palët mund të gjejnë pika të përbashkëta”, shtoi ai.

/aa.com.tr

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com