Home / Lajme / Kosova / Mjeku në Varshavë kërkon zgjidhje për bllokimin e 600 MW kapaciteteve të transmetimit nga Serbia

Mjeku në Varshavë kërkon zgjidhje për bllokimin e 600 MW kapaciteteve të transmetimit nga Serbia

Zëvendësministri në detyrë i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka ngritur çështjen e bllokimit të linjave ndërkufitare të transmetimit nga Serbia në takimin ministror P-TEC në Varshavë, ku morën pjesë edhe sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, dhe ministra evropianë.

Kosova ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme për bllokimin nga Serbia të linjave ndërkufitare të transmetimit të energjisë elektrike, të cilat kanë kapacitet për të bartur deri në 600 megavatë (MW).

Çështjen e ka ngritur zëvendësministri në detyrë i Ekonomisë, Getoar Mjeku, gjatë takimit ministror të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC), që po mbahet në Varshavë të Polonisë, përcjell Energy Monitor.

Në një njoftim, Mjeku ka bërë të ditur se para sekretarit amerikan të Energjisë, Chris Wright, dhe ministrave evropianë ka theksuar kostot që, sipas tij, Serbia po i shkakton Kosovës dhe rajonit përmes bllokimit të këtyre kapaciteteve transmetuese.

Ai ka rikujtuar se Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë tashmë ka konstatuar se Serbia po shkel obligimet që burojnë nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. “Po kërkojmë zgjidhje të menjëhershme”, ka shkruar Mjeku.

Sipas tij, Kosova do të vazhdojë përpjekjet për integrimin në tregun rajonal dhe evropian të energjisë, në bashkëpunim me partnerët transatlantikë.

Takimi P-TEC në Varshavë organizohet nga Departamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministria e Energjisë e Polonisë dhe Këshilli Atlantik. Në të diskutohen çështje të bashkëpunimit energjetik dhe sigurisë së furnizimit ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, transmeton Energy Monitor.

Kontesti për linjat ndërkufitare është një prej çështjeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë në sektorin energjetik. Kosova ka kërkuar që kapacitetet të vihen në dispozicion për alokim komercial, duke mundësuar edhe tranzitin e energjisë elektrike nga tregjet e tjera.

Çështja është ngritur edhe në kuadër të Komunitetit të Energjisë, ndërsa moslirimi i linjave ishte një nga arsyet e përmendura nga Qeveria e Kosovës për vendimin e fundit për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com