Home / Lajme / Kosova / Opozita kritikon politikat energjetike të Qeverisë, kërkon rishikim të strategjisë dhe investime të reja

Opozita kritikon politikat energjetike të Qeverisë, kërkon rishikim të strategjisë dhe investime të reja

Deputetët e AAK-së, LDK-së dhe PDK-së kanë kritikuar Qeverinë për mungesën e kapaciteteve të reja prodhuese, varësinë nga importi dhe ndërprerjet e energjisë elektrike. Gjatë debatit u kërkua rishikimi i Strategjisë së Energjisë 2022–2031, ndërsa vendimi për masat emergjente dhe ndalimin e tregtimit me kompanitë serbe u bë gjithashtu objekt kritikash.

Gjendja në sektorin e energjisë elektrike ishte ndër temat e përplasjes mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës të enjten, ku deputetët e partive opozitare kërkuan ndryshimin e politikave energjetike, më shumë investime në kapacitete prodhuese dhe llogaridhënie për shpenzimet e importit të energjisë.

Kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi nga kryeministri Albin Kurti rishikimin e Strategjisë së Energjisë 2022–2031, duke argumentuar se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, rritja e kërkesës dhe problemet me furnizimin kërkojnë një qasje të re ndaj planifikimit energjetik, përcjell Energy Monitor.

Tahiri tha se ndërprerjet e energjisë elektrike, të cilat fillimisht kishin prekur kryesisht vendbanimet rurale, janë shtrirë edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera. Sipas tij, mungesa e furnizimit për orë të tëra po ua vështirëson jetën familjeve, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta, të cilat tashmë përballen me fatura të larta të energjisë.

Ai kërkoi formimin e një ekipi qeveritar për rishikimin e strategjisë dhe planit të investimeve në sektorin energjetik.

Në kuadër të propozimeve të tij, Tahiri prezantoi edhe atë që e quajti “The Kosovo Energy Case”, përmes së cilës kërkoi një vlerësim gjithëpërfshirës të potencialit ekzistues të prodhimit të energjisë elektrike. Ky vlerësim, sipas tij, duhet të përfshijë mundësitë për zgjerimin e prodhimit në Kosovën A, burimet alternative dhe furnizimin me gaz natyror, përfshirë gazin e lëngshëm nga terminali i Vlorës në Shqipëri.

Një kritikë tjetër ndaj politikave të Qeverisë erdhi nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë shqyrtimit të Projektbuxhetit për vitin 2027. Ai tha se ndihmat sociale dhe shtesat për qytetarët nuk mund të zëvendësojnë investimet në sektorët strategjikë të ekonomisë.

Abdixhiku kërkoi që energjia të jetë ndër prioritetet kryesore të investimeve publike, duke theksuar se Kosova vazhdon të blejë energji elektrike nga jashtë, ndërkohë që ka nevojë për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese.

Sipas tij, mungesa e investimeve dhe varësia nga importi rrezikojnë ta mbajnë vendin në një cikël të vazhdueshëm të shpenzimeve dhe nevojës për ndihma financiare.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, reagoi ndaj ndërprerjes së energjisë elektrike gjatë seancës së Kuvendit, duke ironizuar me masat emergjente të paralajmëruara nga Qeveria.

Ajo tha se Kosova po kthehet te përdorimi i agregateve, duke e krahasuar situatën me vitin 1999. Ndërprerja e rrymës ndodhi pikërisht gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2027, duke lënë deputetët në errësirë dhe duke ndërprerë edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës.

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, reagoi gjithashtu përmes një videoje nga salla, duke ironizuar se edhe sistemi kishte hequr dorë nga mandati.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, kritikoi vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe. Ai vuri në pikëpyetje kohën e marrjes së vendimit dhe efektin e tij ekonomik, duke kërkuar sqarime se çfarë ndikimi financiar pritet të ketë masa dhe nëse ajo do të ushtrojë presion real ndaj Serbisë për lirimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit.

Mustafa ngriti shqetësimin se, nëse transaksionet me kompanitë serbe kanë qenë të papërfillshme, edhe ndikimi i ndalimit mund të jetë i kufizuar.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në përgjigjen e saj tha se institucionet publike dhe kompanitë kryesore të sektorit nuk kanë realizuar transaksione me kompanitë serbe gjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Ajo pranoi se ndikimi financiar i masës ende nuk mund të përcaktohet plotësisht, por theksoi se ky është hapi i parë dhe se masat do të përshkallëzohen nëse Serbia nuk reagon.

Kritika ndaj Qeverisë pati edhe për çështjen e përgjegjësisë për krizën aktuale. Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kërkoi dorëheqjen e ministres Rizvanolli, duke e fajësuar për gjendjen në sektorin energjetik.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ndërkaq, kritikoi edhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tregtarëve të energjisë në funksionimin dhe mbikëqyrjen e rregullatorit.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti mbrojti vazhdimin e përdorimit të linjitit si pjesë të përzierjes energjetike të Kosovës, krahas burimeve të ripërtëritshme, efiçiencës së energjisë dhe kogjenerimit. Ai tha se Qeveria nuk ka hequr dorë nga investimet në energjinë diellore dhe atë të erës, si dhe përmendi bateritë e financuara përmes programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Kurti foli gjithashtu për mundësinë e shfrytëzimit të gazit të lëngshëm nga terminali i Vlorës përmes interkoneksionit 400 kV me Shqipërinë, por ritheksoi se linjiti do të vazhdojë të ketë rol në prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi vendimin e Qeverisë për masat emergjente në furnizimin me energji elektrike, me 61 vota për. Masat do të jenë në fuqi për 60 ditë dhe, ndër të tjera, parashohin rritjen dhe përshtatjen e prodhimit të ndërmarrjes Ibër-Lepenci gjatë orëve të pikut, brenda mundësive teknike, si dhe themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent.

Kuvendi miratoi gjithashtu në lexim të parë Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë dhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, të dyja me 61 vota për.

Debati i së enjtes nxori në pah dallimet mes Qeverisë dhe opozitës jo vetëm për menaxhimin e krizës aktuale të furnizimit, por edhe për drejtimin afatgjatë të sektorit, rolin e linjitit, burimet alternative dhe investimet që nevojiten për të zvogëluar varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com