Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se ndërtimi i tubacioneve alternative dhe zhvillimi i vendburimeve të reja mund të zvogëlojnë varësinë globale nga Ngushtica e Hormuzit. Në të njëjtën kohë, konsumi i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave mund të dyfishohet deri në vitin 2030.
Bota mund të zvogëlojë ndjeshëm varësinë nga Ngushtica e Hormuzit për transportin e naftës, por kjo do të kërkojë investime prej rreth 240 miliardë dollarësh në infrastrukturë alternative dhe vendburime të reja të naftës.
Ky është një nga përfundimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) në raportin World Energy Outlook 2026, i cili paralajmëron njëkohësisht për një tjetër sfidë në sektorin energjetik: rritjen e shpejtë të konsumit të energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale.
Para konfliktit me Iranin, përmes Ngushticës së Hormuzit kalonte rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG). Ndërprerjet e furnizimit gjatë këtij viti kanë nxjerrë në pah cenueshmërinë e tregjeve ndërkombëtare ndaj bllokimit të kësaj rruge strategjike.
“Bota mund të funksionojë edhe pa këtë ngushticë. Është e vështirë, por e mundur”, ka deklaruar drejtori ekzekutiv i IEA-së, Fatih Birol.
Sipas agjencisë, rreth 40 miliardë dollarë do të nevojiteshin për ndërtimin e tubacioneve të reja, ndërsa 200 miliardë dollarë të tjerë për investime në vendburime nafte në rajone të tjera të botës.
Tubacionet alternative në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irak mundësojnë potencialisht transportimin e rreth 15 milionë fuçive naftë në ditë, pa kaluar përmes Hormuzit.
Në kombinim me uljen e kërkesës dhe rritjen e prodhimit në vende të tjera, sasia e naftës që transportohet përmes ngushticës mund të zvogëlohet nga rreth 20 milionë fuçi në ditë para konfliktit, në vetëm 2 milionë deri në vitin 2035.
Megjithatë, alternativat janë më të kufizuara për gazin natyror të lëngshëm nga Katari, pasi aktualisht nuk ekzistojnë rrugë të tjera eksporti që mund të zëvendësojnë transportin përmes kësaj ngushtice.
IEA vlerëson se kriza mund t’i shtyjë shtetet importuese të përshpejtojnë investimet në burimet vendore të energjisë, energjinë bërthamore dhe burimet e ripërtëritshme, si dhe elektrifikimin e transportit dhe ngrohjes.
Në skenarin e politikave aktuale, kërkesa globale për naftë mund të rritet nga 102 milionë fuçi në ditë gjatë vitit 2026, në 114 milionë deri në vitin 2050. Në rast të një reagimi më të fuqishëm ndaj krizës dhe përshpejtimit të tranzicionit energjetik, kërkesa mund të bjerë në 85 milionë fuçi në ditë.
Qendrat e të dhënave dyfishojnë kërkesën për energji
Përtej sigurisë së furnizimit me naftë dhe gaz, IEA paralajmëron se zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe zgjerimi i qendrave të të dhënave po krijojnë një burim të ri të madh të kërkesës për energji elektrike.
Sipas raportit, konsumi vjetor i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave mund të arrijë rreth 1.000 teravat-orë deri në vitin 2030, pothuajse dyfishi i nivelit aktual.
Kjo rritje mund të ushtrojë presion të konsiderueshëm mbi rrjetet elektrike, të vonojë realizimin e projekteve të reja dhe të kontribuojë në rritjen e emetimeve të karbonit deri në 70 për qind.
Presioni tashmë është evident në disa tregje, përfshirë Finlandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në Teksas dhe Virxhinia, ku zhvillimi i qendrave të mëdha të të dhënave po kërkon kapacitete gjithnjë e më të mëdha të furnizimit me energji.
IEA parashikon se pjesëmarrja e energjisë elektrike në konsumin përfundimtar global të energjisë mund të arrijë rreth 30 për qind deri në vitin 2035, krahasuar me 23 për qind në skenarët kryesorë të agjencisë.
Ndërkohë, kërkesa maksimale për energji elektrike pritet të rritet me 40 deri në 50 për qind deri në vitin 2035.
Për të përballuar këtë zgjerim, sipas IEA-së, do të nevojitet ndërtimi i 26 milionë kilometrave linja të reja elektrike, si dhe zëvendësimi ose modernizimi i rreth 16 milionë kilometrave të rrjetit ekzistues.
Një tjetër pengesë është furnizimi me pajisje dhe materiale për infrastrukturën energjetike. Agjencia paralajmëron mungesa të mundshme të bakrit, transformatorëve dhe kabllove, ndërsa investimet në rrjetet elektrike pritet të rriten me 75 për qind gjatë dekadës së ardhshme.
Zgjerimi i qendrave të të dhënave ka nxitur kundërshtime edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, për shkak të ndikimit të tyre në infrastrukturën lokale, shfrytëzimin e tokës, burimet ujore dhe furnizimin me energji elektrike.
Raporti i IEA-së vë në pah kështu dy sfida paralele për sistemet energjetike: zvogëlimin e varësisë nga korridoret e cenueshme të furnizimit me lëndë djegëse fosile dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja të prodhimit e transmetimit për të përballuar kërkesën në rritje të ekonomisë digjitale.



