Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në pesë rajone të vendit.
Lajmi është bërë i ditur nga kompania kombëtare ukrainase e energjisë, Ukrenergo, e cila njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit forcat ruse kanë sulmuar objektet e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike.
Si pasojë e sulmeve, konsumatorët në rajonet Dnipropetrovsk, Zhytomyr, Zaporizhia, Mykolaiv dhe Sumy kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike.
Ndërkohë, dëmtimet në pajisjet energjetike në rajonet Sumy, Poltava, Kharkiv dhe Dnipropetrovsk kanë detyruar autoritetet të aplikojnë ndërprerje emergjente të energjisë elektrike.
Sipas agjencisë ukrainase Ukrinform, ekipet përkatëse po përballen me pasojat e dëmeve të shkaktuara në infrastrukturën energjetike të vendit.



