Përfaqësuesit e bashkësive lokale të Komunës së Prizrenit kanë protestuar të hënën para zyrave të KEDS-it, duke kërkuar zgjidhje për problemet e vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike dhe intervenime urgjente në rrjetin shpërndarës.
Pas protestës, një delegacion i përfaqësuesve të bashkësive lokale ka zhvilluar takim me zyrtarët e KEDS-it, nga i cili, sipas Petrit Hoxhajt, kanë marrë zotime për trajtim me prioritet të rasteve emergjente.
Hoxhaj ka bërë të ditur se është dakorduar që raportimet për problemet në rrjetin elektrik, të përcjella nga bashkësitë lokale, të trajtohen me prioritet dhe ekipet e kompanisë të intervenojnë sa më shpejt.
Një tjetër dakordim ka të bëjë me njohjen e kryetarëve të bashkësive lokale si përfaqësues të komuniteteve të tyre, duke u mundësuar atyre që të përcjellin kërkesa, ankesa dhe raportime lidhur me gjendjen e rrjetit elektrik.
Edhe zëdhënësi i KEDS-it, Adlum Ramadani, ka konfirmuar se kompania do të angazhohet për intervenime emergjente në terren dhe se bashkëpunimi me përfaqësuesit e bashkësive lokale do të intensifikohet.
Sipas Ramadanit, gjendja e rënduar e rrjetit elektrik është pasojë e dëmtimeve të konsiderueshme të shkaktuara nga erërat e fuqishme gjatë dhjetë ditëve të fundit.
Gjatë takimit është diskutuar edhe koordinimi i investimeve të planifikuara nga KEDS-i në territorin e Prizrenit. Sipas Hoxhajt, është arritur pajtimi që kompania të kontaktojë paraprakisht kryetarët e bashkësive lokale përkatëse, me qëllim të koordinimit të punimeve dhe shmangies së problemeve gjatë vendosjes së shtyllave elektrike dhe realizimit të investimeve.
Përfaqësuesit e bashkësive lokale kanë shprehur pritjen që KEDS-i t’i përmbushë zotimet e dhëna dhe të përmirësojë bashkëpunimin me komunitetet në trajtimin e problemeve të furnizimit me energji elektrike.



