Home / Lajme / Kosova / ZRrE-ja pranon se investimet në KEDS dhe KOSTT nuk janë audituar në terren, auditimi planifikohet për vitin 2027

ZRrE-ja pranon se investimet në KEDS dhe KOSTT nuk janë audituar në terren, auditimi planifikohet për vitin 2027

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Driton Gojani, ka pranuar se investimet në rrjetin e distribucionit dhe atë të transmisionit nuk janë audituar në terren nga rregullatori. Sipas tij, një tender i mëparshëm për këtë qëllim ishte ndërprerë për shkak të konfliktit të mundshëm të interesit, ndërsa auditimi është përfshirë në planifikimin buxhetor për vitin 2027.

Gojani i bëri këto deklarata të martën, gjatë raportimit para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion të Kuvendit të Kosovës, ku u shqyrtua Raporti Vjetor i Punës së ZRrE-së për vitin 2025.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ngriti çështje që lidhen me shpenzimet e sektorit të energjisë, investimet në rrjetin e distribucionit, humbjet dhe ndikimin e këtyre kostove në faturat e konsumatorëve.

Lidhur me investimet e KEDS-it dhe KOSTT-it, Gojani tha se ZRrE-ja ka shqyrtuar investimet e raportuara nga operatorët, por nuk ka realizuar auditim në terren për të verifikuar zbatimin e tyre.

“Është e vërtetë që nuk ka pasur auditim më herët nga ana e ZRrE-së në lidhje me investimet në rrjetin e distribucionit, por edhe në rrjetin e operatorit të sistemit të transmisionit. ZRrE-ja ka pasur shqyrtim të investimeve, mirëpo jo auditim në terren”, deklaroi Gojani.

Një tender i hapur nga ZRrE-ja për angazhimin e një kompanie që do të auditonte investimet në të dy operatorët ishte ndërprerë, pasi ishte identifikuar një çështje e konfliktit të interesit. Sipas Gojanit, një nga pjesëmarrësit në procedurë dyshohej se kishte qenë më herët pjesë e njërës prej kompanive operuese.

Lidhur me këtë çështje, Gojani tha se auditimi është planifikuar sërish për vitin 2027, në kuadër të shpenzimeve operative të rregullatorit, me synimin që të përgatitet një raport i pavarur për investimet.

INDEP kishte paralajmëruar më herët se ZRrE-ja nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të verifikuar në terren nëse investimet e raportuara nga KEDS-i janë realizuar dhe nëse pajisjet e deklaruara si të reja janë vërtet të tilla.

“Për vitin 2027 i kemi paraparë prapë që në kuadër të shpenzimeve operative auditimin e investimeve në operatorin e sistemit të shpërndarjes dhe operatorin e sistemit të transmisionit. Do të bëjmë përpjekje që më në fund ta kemi një raport të auditimit dhe të auditohen investimet”, tha Gojani.

Ai paralajmëroi gjithashtu se ZRrE-ja po shqyrton mundësinë e krijimit të një departamenti të veçantë për monitorimin e operatorëve, i cili do të mbikëqyrte zbatimin e kodeve teknike dhe komerciale, standardet e cilësisë dhe investimet në rrjet.

Sipas Gojanit, ZRrE-ja ka të parapara rreth 41 vende pune, por aktualisht ka afërsisht 25 punonjës. Shtimi i stafit shihet si një nga parakushtet për forcimin e kapaciteteve të monitorimit.

ZRrE-ja: Importi më i shtrenjtë se parashikimi shkaktoi tejkalimin e kostove

Gjatë raportimit, Gojani foli edhe për tejkalimin e kostove të importit të energjisë elektrike dhe ndikimin e tyre në tarifat e konsumatorëve.

Ai tha se çmimi i lejuar i importit për vitin 2025 ishte 146 euro për megavat-orë (MWh), por se çmimet në tregjet ndërkombëtare mund të rriten ndjeshëm gjatë periudhave të dimrit.

Sipas tij, në tetor çmimi mesatar kishte arritur afërsisht 240 euro për MWh, duke krijuar dallim ndërmjet kostos së parashikuar dhe asaj reale të furnizimit.

“Tejkalimi i të hyrave të KEK-ut më shumë lidhet me çmimet e importeve. Ne e kemi një çmim që i themi çmimi i lejuar i importit, i cili për vitin 2025 ka qenë në vlerën 146 euro. Mirëpo, zakonisht gjatë periudhës së sezonit të dimrit, çmimet mund të rriten”, deklaroi Gojani.

Ai shtoi se këto diferenca trajtohen gjatë shqyrtimit tarifor dhe, nëse njihen nga rregullatori, barten në llogaritjet për vitin pasues.

Raporti i ZRrE-së: Kosova shpenzoi 1.33 miliardë euro për importin e energjisë elektrike që nga viti 2015

Megjithatë, Gojani theksoi se tejkalimet lidhen me ndryshimet e çmimeve të importit në raport me çmimin e lejuar në tarifa.

Ajvazi: Importi i rrymës kushton deri pesë herë më shumë se prodhimi vendor

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com