Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur marrëveshje me dy organizatat sindikale, SR-KEK dhe SPEK, që të gjithë punonjësit e korporatës të përfitojnë bonus prej gjithsej 800 eurosh neto.
Sipas njoftimit të KEK-ut, bonusi do të paguhet në dy faza: 500 euro neto në mesin e dhjetorit 2026 dhe 300 euro neto në mesin e majit 2027.
Marrëveshja u arrit në një takim ndërmjet Bordit të Drejtorëve, menaxhmentit dhe përfaqësuesve të dy sindikatave, ku u diskutuan sfidat aktuale të korporatës, përfshirë modernizimin e njësive prodhuese, investimet mjedisore dhe vazhdimësinë e operimeve.
Sipas KEK-ut, palët janë pajtuar për mobilizim të përbashkët për ruajtjen e stabilitetit të prodhimit dhe realizimin e projekteve strategjike, duke vlerësuar se operimet e korporatës janë jetike për sigurinë energjetike të Kosovës.
KEK-u e ka cilësuar marrëveshjen si shprehje të vlerësimit për punonjësit dhe rezultat të dialogut social me përfaqësuesit sindikalë.



