Home / Lajme / Tjera / Haxhimusa kritikon Rizvanollin: Qytetarëve u duhen zgjidhje, jo vetëm paralajmërime për dimër të vështirë

Haxhimusa kritikon Rizvanollin: Qytetarëve u duhen zgjidhje, jo vetëm paralajmërime për dimër të vështirë

Eksperti i energjisë Adhurim Haxhimusa ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për paralajmërimet lidhur me vështirësitë e mundshme në furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit.

Haxhimusa ka thënë se qytetarët tashmë janë të vetëdijshëm për mundësinë e një dimri të vështirë, por se ministrja duhet të paraqesë zgjidhjet dhe të shpjegojë se si planifikon Qeveria ta menaxhojë situatën.

Ai ka theksuar se pret nga ministrja të tregojë se cilat alternativa janë shqyrtuar, çfarë vendimesh janë marrë dhe cilat masa do të ndërmerren për përballimin e situatës.

“Ministrja duhet të na tregojë se si do ta menaxhojnë këtë dimër të vështirë, cilat opsione i kanë pasur dhe çfarë vendimesh janë marrë. Unë më shumë do të preferoja të shihja zgjidhjet që ajo i prezanton dhe të dëgjoja se si e kanë menaxhuar, apo si do të menaxhohet kjo situatë në të ardhmen. Sa i përket dimrit të vështirë, të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe nuk kemi nevojë për informacione të tilla”, ka thënë Haxhimusa.

Ai ka kërkuar gjithashtu që udhëheqësit e vendit të japin përgjigje për situatën energjetike dhe barrën që, sipas tij, po u bie qytetarëve.

Haxhimusa ka vënë në dukje se e njëjta situatë përsëritet çdo dimër, duke u bërë thirrje institucioneve që të marrin përgjegjësi për menaxhimin e saj.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com