Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me një komision Ad Hoc të ministrisë, ka vijuar verifikimet e njehësorëve elektrikë pas ankesave të konsumatorëve.
Sipas njoftimit, gjatë aksionit janë identifikuar disa raste të devijimeve në orë dhe datë në njehësorë elektrikë. Pajisjet ku janë konstatuar parregullsi janë tërhequr dhe dërguar për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorët e Agjencia e Metrologjisë së Kosovës.
Gjithashtu, për njehësorë me afat të skaduar të vlefshmërisë, janë iniciuar dy procedura gjobitjeje ndaj operatorit KEDS, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Aksioni është zhvilluar në rajonet e Prishtinës dhe Ferizajt dhe pritet të zgjerohet edhe në pjesë të tjera të vendit, bazuar në planin operacional dhe ankesat e qytetarëve.
MINTI ka ftuar qytetarët të raportojnë çdo parregullsi të mundshme përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.



