Home / Lajme / Kosova / 104,85 milionë euro të kushtëzuara me reforma, GEK analizon përmbushjen e 14 kritereve në energji dhe klimë

104,85 milionë euro të kushtëzuara me reforma, GEK analizon përmbushjen e 14 kritereve në energji dhe klimë

Green Energy Kosova (GEK) ka organizuar tryezën e parë konsultative për të shqyrtuar progresin e Kosovës në përmbushjen e 14 kushteve të pagesës në fushën e energjisë dhe klimës, të cilat lidhen me alokime të kushtëzuara prej 104,85 milionë eurosh.

Në takimin e mbajtur më 25 nëntor morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Kryeministrit, strukturave përgjegjëse për çështjet e integrimit evropian, KOSTT-it, shoqërisë civile dhe sektorit privat.

GEK prezantoi gjetjet paraprake të tri dokumenteve të politikave, të cilat trajtojnë ecurinë e ankandit të parë për energjinë nga era dhe përmbushjen e zotimit për 150 megavatë kapacitete të reja, si dhe instalimin dhe kyçjen në rrjet të së paku 100 megavatëve kapacitete solare deri më 31 gusht 2027.

Një tjetër fushë e analizuar është reforma e tregut të energjisë elektrike, përfshirë rritjen e konkurrencës dhe përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian, përcjell Energy Monitor.

Sipas GEK-ut, gjatë tryezës u identifikuan pengesat në zbatimin e reformave dhe institucioneve përgjegjëse iu prezantuan rekomandime konkrete për veprimet që duhet të ndërmarrin, afatet dhe dokumentacionin e nevojshëm për përmbushjen e kushteve.

Kontributet e pjesëmarrësve do të përdoren për plotësimin e analizave dhe finalizimin e tri dokumenteve të politikave.

Aktiviteti është pjesë e projektit rajonal “WB Reform and Growth Monitor”, të financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa në Kosovë zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com