Është mbajtur një punëtori për përcaktimin e kritereve të reja të skemës mbështetëse që do të financojë masat e efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë në ndërtesat shumëbanesore në Kosovë.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe ekspertë të GIZ-it. Diskutimet u fokusuan në përcaktimin e kritereve të pranueshmërisë, procedurave të aplikimit, modeleve të financimit dhe roleve të institucioneve të përfshira në zbatimin e programit.
Sipas FKEE-së, punëtoria shërbeu për harmonizimin e qasjeve dhe krijimin e bazës operacionale për lansimin e skemës së re mbështetëse, e cila do të synojë rritjen e investimeve në efiçiencë të energjisë në ndërtesat shumëbanesore, percjell Energy Monitor.
Gjatë viteve të fundit, FKEE ka zbatuar programe të ngjashme në ndërtesa sociale dhe objekte të tjera publike, duke financuar masa si izolimi termik i ndërtesave, zëvendësimi i dritareve, instalimi i ndriçimit LED dhe vendosja e pompave termike për ngrohje dhe ftohje.
Programet e deritanishme janë mbështetur nga Qeveria e Kosovës dhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Gjermaninë, Suedinë, Danimarkën dhe Luksemburgun. Edhe skema e re pritet të financohet nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Daneze përmes GIZ-it, bëri të ditur FKEE.



