Home / Highlights / FKEE dhe GIZ nënshkruajnë grant prej 1.5 milionë eurosh për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në Kosovë

FKEE dhe GIZ nënshkruajnë grant prej 1.5 milionë eurosh për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në Kosovë

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe GIZ, në emër të Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë Daneze, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Grantit për projektin “Fuqizimi i mekanizmave të financimit të FKEE-së për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme”, me vlerë totale prej 1.5 milionë eurosh.

Marrëveshja synon të mbështesë zhvillimin dhe pilotimin e mekanizmave të rinj për financimin e masave të efiçiencës së energjisë dhe instalimin e sistemeve të energjisë së ripërtëritshme për vetëkonsum në ndërtesat shumëbanesore. Po ashtu, projekti do të mundësojë integrimin e këtyre sistemeve në ndërtesat publike dhe do të forcojë kapacitetet institucionale të FKEE-së për zbatimin e skemave të reja të financimit.

Në kuadër të projektit do të realizohen investime pilot në ndërtesa të përzgjedhura shumëbanesore dhe publike, me qëllim përmirësimin e performancës energjetike të objekteve dhe rritjen e përdorimit të energjisë së ripërtëritshme për vetëkonsum, përcjell Energy Monitor.

Projekti do të mbështesë gjithashtu zhvillimin e modeleve të reja të bashkëfinancimit, të cilat kombinojnë grantet, kontributin e përfituesve dhe mekanizmat ekzistues të financimit të FKEE-së. Kjo pritet të krijojë bazë për zgjerimin e mëtejmë të investimeve në sektorin rezidencial dhe atë publik.

Kosova vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme në sektorin e energjisë, përfshirë varësinë e lartë nga prodhimi i energjisë nga thëngjilli dhe performancën e ulët energjetike të stokut ekzistues të ndërtesave. Përmes këtij projekti pritet të ulet konsumi i energjisë, të reduktohen emetimet e dioksidit të karbonit (CO₂), të përmirësohen kushtet e jetesës për qytetarët dhe të mbështeten objektivat e Kosovës për tranzicion energjetik dhe dekarbonizim, njofton Energy Monitor.

Përfaqësuesit e GIZ-it dhe FKEE-së e vlerësuan këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm të financimit për investime në efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në Kosovë.

Projekti financohet nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Daneze përmes GIZ-it dhe zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com