Home / Lajme / Kosova / Kryenegociatori: Ligjet për energjinë nuk u miratuan brenda afatit të BE-së, rrezikohen fondet e Planit të Rritjes

Kryenegociatori: Ligjet për energjinë nuk u miratuan brenda afatit të BE-së, rrezikohen fondet e Planit të Rritjes

Jeton Zulfaj, Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin e Reformave dhe Rritjes, ka deklaruar se një pjesë e rëndësishme e reformave, përfshirë edhe ato në sektorin e energjisë, nuk janë përmbushur brenda afatit të përcaktuar nga Agjenda e Reformave e Planit të Rritjes së BE-së.

Këtë deklaratë Zulfaj e bëri në konferencën për media lidhur me Agjendën e Reformave, të mbajtur me datën 1 korrik, 2026.

Sipas tij, gjashtë nga 13 hapat që kishin afat deri më 30 qershor 2026 dhe periudhë shtesë për zbatim nuk janë finalizuar, përfshirë paketën ligjore për energjinë dhe energjinë elektrike, si dhe aktet nënligjore që lidhen me funksionimin e tregut të energjisë, njofton Energy Monitor.

Ai tha se disa nga këto reforma janë pjesë e ligjeve që tashmë kanë kaluar në Qeveri dhe në lexim të parë në Kuvend, por nuk janë miratuar përfundimisht për shkak të mungesës së kuorumit dhe bllokadave në procesin parlamentar.

Sipas tij, mosmiratimi në afat i këtyre ligjeve mund të sjellë humbje të fondeve të Bashkimit Evropian të dedikuara për përmbushjen e hapave reformues, ku vetëm për këtë grup masash vlerësohet një kosto mbi 40 milionë euro.

Në deklarim u theksua se sektori i energjisë mbetet një nga fushat më kritike të Agjendës së Reformave, pasi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e furnizimit, integrimin në tregun evropian të energjisë elektrike dhe krijimin e një tregu më konkurrues në Kosovë, përcjell Energy Monitor.

Sipas tij, në total Agjenda e Reformave përfshin 111 hapa, prej të cilëve 62 janë aktualisht në zbatim, ndërsa 18 konsiderohen të përmbushur deri tani.

Për hapat që lidhen me energjinë, ai theksoi se qeveria i ka proceduar ligjet përkatëse, por miratimi përfundimtar kërkon funksionim të plotë të Kuvendit dhe shumicë të nevojshme parlamentare.

Në konferencë u përmend gjithashtu se afati i radhës për një pjesë tjetër të reformave është fundi i dhjetorit 2026, ku përfshihen edhe hapa shtesë në sektorin e energjisë dhe fusha të tjera të harmonizimit me BE-në.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com