Home / Lajme / Kosova / Rizvanolli: Bllokimi i interkoneksioneve nga Serbia po krijon rreziqe për furnizimin me energji elektrike

Rizvanolli: Bllokimi i interkoneksioneve nga Serbia po krijon rreziqe për furnizimin me energji elektrike

Serbia vazhdon të mos zbatojë vendimin e marrë në kuadër të Komunitetit të Energjisë për lirimin e linjave të interkoneksionit me Kosovën, pavarësisht afatit të caktuar deri më 1 korrik 2026. Sipas ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kjo situatë tashmë nuk është vetëm një çështje tregtare apo teknike, por ka marrë edhe dimension të sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Në një intervistë në emisionin EURO në T7 me gazetarin Menduh Abazi, Rizvanolli tha se Kosova po e shfrytëzon presidencën e saj të Energy Community për ta mbajtur këtë çështje në fokus të partnerëve ndërkombëtarë.

Sipas saj, Serbia refuzon që nga dhjetori i vitit 2020, kur Kosova u bë e pavarur energjetikisht, të lirojë kapacitetet e linjave të interkoneksionit mes dy vendeve, përcjell Energy Monitor.

“Kur këto linja mbeten të bllokuara, krijohet mbingarkesë në linjat e tjera, veçanërisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Si rezultat, në periudha të caktuara rritet edhe çmimi i transmetimit në këto interkoneksione,” tha Rizvanolli.

Ajo kujtoi se, pas më shumë se katër vitesh përpjekjesh diplomatike dhe institucionale, në dhjetor 2025 Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë konstatoi se Serbia kishte shkelur Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe vendosi që ajo t’i lironte linjat deri më 1 korrik 2026.

Megjithatë, sipas ministres, afati ka kaluar pa rezultat.

“Ky zhvillim nuk ishte befasi për ne, por është shumë e rëndësishme që partnerët ndërkombëtarë ta shohin qartë se cila palë po bashkëpunon dhe cila po vepron në mënyrë destruktive,” u shpreh ajo.

Rizvanolli shtoi se ndikimi nuk kufizohet vetëm te kostot më të larta të transmetimit. Sipas saj, bllokimi i linjave ka krijuar edhe rrezik për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, njofton Energy Monitor.

Ajo përmendi se më 14 dhe 20 janar, Kosova është detyruar të ndërmarrë reduktime të furnizimit si pasojë e efekteve zinxhirore të shkaktuara nga kufizimet në interkoneksione.

Sipas ministres, Kosova do ta përdorë presidencën e Komunitetit të Energjisë për të vazhduar presionin ndaj Serbisë dhe për të kërkuar zbatimin e vendimit.

“Ne nuk do të rrimë duarkryq. Do të vazhdojmë ta shtyjmë këtë çështje në kuadër të Komunitetit të Energjisë dhe në forume të tjera ndërkombëtare, në mënyrë që ky problem të mos vazhdojë më tej,” deklaroi Rizvanolli.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com