Projekti i MCC-së për ruajtjen e energjisë me bateri ka nisur procesin e zbatimit para dy vitesh, por sipas ministres në detyrë të Ekonomisë, deri tani ai ka kaluar nëpër një seri kushtesh dhe reformash që janë pjesë e rregullave të MCC-së. Aktualisht, projekti ndodhet në fazën e tenderimit, ku janë parakualifikuar pesë deri në gjashtë kompani amerikane, të cilat pritet të garojnë me oferta financiare në fazat e ardhshme të procesit.
Duke folur në emisionin EURO në T7 me gazetarin Menduh Abazi, ajo tha se MCC kërkon që përpara dhe gjatë zbatimit të programit të përmbushen një sërë parakushtesh nga shteti, përfshirë reforma ligjore dhe lansimin e ankandeve.
“Si MCC ka rregulla të tilla që kërkojnë që e nënshkruan marrëveshjen, mirëpo si shtet ke një sërë reformash e parakushtesh që duhet t’i plotësosh, duke përfshirë reforma ligjore, lansim të ankandeve e të tjera, që duhet t’i plotësosh para se të hyjë në fuqi,” tha ajo.
Sipas saj, gjatë dy viteve të zbatimit, një vit i plotë i programit ka qenë i pezulluar, dhe kjo, siç theksoi ajo, nuk ka ndodhur për shkak të Kosovës, transmeton Energy Monitor.
“Për dy vite që ka qenë në fuqi, një vit realisht ka qenë i pezulluar programi, jo për fajin tonë,” u shpreh Rizvanolli.
Ajo sqaroi se pezullimi ka ndodhur në një periudhë pas mbylljes së USAID-it, kur kishte pasur pasiguri institucionale dhe informacione se MCC mund të mbyllte të gjitha aktivitetet e saj globalisht, për shkak të vendimeve të administratës amerikane dhe rishikimit të programeve.
“Ka qenë një periudhë pas mbylljes së USAID vitin e kaluar, ka pasur një informacion që MCC po mbyllet dhe po mbyll të gjitha aktivitetet,” tha ajo.
Megjithatë, sipas saj, programi për Kosovën është vazhduar, pasi është miratuar rifillimi i tij nga administrata amerikane dhe është siguruar vazhdimi me buxhet të plotë.
“Për fat dhe ne e çmojmë jashtëzakonisht shumë faktin që administrata e presidentit Trump për Kosovën e ka vazhduar programin. Kosova është një ndër një grusht shtetesh ku programi është vazhduar. Sepse kishte mbi 27 shtete ku programet ishin ndërprerë,” tha ajo.
Ajo shtoi se në disa raste projekte të tjera ndërkombëtare janë ndërprerë edhe në fazë ndërtimi, ndërsa në rastin e Kosovës projekti i baterive ka vazhduar normalisht, njofton Energy Monitor.
Aktualisht, projekti ndodhet në fazën e prokurimit, ku janë parakualifikuar pesë deri në gjashtë kompani amerikane. Sipas saj, kompanitë kanë pasur mundësi të vizitojnë lokacionet në Sojevë të Ferizajt dhe në Istog, gjatë një vizite në fund të majit dhe fillim të qershorit.
“Ka pasur interesim të kompanive, kanë ardhur për t’i vizituar lokacionet,” tha ajo.
Sipas afateve të prezantuara, ofertat financiare pritet të dorëzohen në gusht, ndërsa nënshkrimi i kontratës parashihet rreth tetorit, me fillim të zbatimit të projektit në vitin pasues.



