Në vitet e para të shekullit të kaluar, një veturë elektrike ka përshkuar 340 kilometra me një mbushje, ndërsa rritja e distancës që këto vetura mund të përshkojnë me një karikim mbetet ndër sfidat kryesore të kësaj industrije edhe sot.
Vetura elektrike ‘Detroit Electric’ është prodhuar nga ndërmarrja Anderson për prodhimin e veturave elektrike, e cila ishte themeluar në vitin 1907.
Fillimisht, veturat Detroit Electric, të prodhuara nga ndërmarrja Anderson në Detroit të SHBA-ve, po operonin me bateri me acid plumbi që mund të ri-karikohej. Nga viti 1911 e deri më 1916, duke paguar 600 dollarë amerikan më shumë, apo rreth 19 mij dollarë në vlerë të sotit, blerësit mund të zgjedhnin bateri të llojit tjetër, atë të prodhuesit Edison me nikel hekuri, shkruan Energy Monitor.
Ndërsa po reklamohej për blerësit e mundshëm, prodhuesit thonin se vetura mund të përshkojë distancë prej 130 kilometrash vetëm me një karikim, por, kjo distancë ishte tejkaluar dukshëm gjatë testimit të kësaj veture.
Gjatë një testimi, me një karikim kjo veturë elektrike qysh në vitet e hershme të shekullit të kaluar kishte përshkuar distancë prej 340 kilometrash, shkruan Energy Monitor.
Edhe sot prodhuesit e veturave elektrike bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të shtuar numrin e klimetrave që këto vetura mund të përshkojnë me një karikim.
Distanca më e gjatë e përshkuar e veturave elektrike me një karikim është rreth 800 kilometra.



