Organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësime për Aleancën e Produkteve Kimike Kritike (Critical Chemicals Alliance – CCA) të Bashkimit Evropian, duke pretenduar se iniciativa po i jep përparësi interesave të industrisë kimike në dëm të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit publik.
Aleanca, e krijuar në janar të vitit 2026 me mbështetjen e Komisionit Evropian, synon të identifikojë substancat kimike dhe kapacitetet prodhuese që konsiderohen strategjike për ekonominë evropiane, me qëllim sigurimin e furnizimit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së industrisë. Në të përfshihen kompani të mëdha të sektorit kimik si BASF, TotalEnergies dhe Avantium.
Sipas një raporti të publikuar nga Corporate Europe Observatory dhe European Environmental Bureau, procesi rrezikon të dominohet nga vetë industria që duhet të rregullohet. Organizatat pretendojnë se përfaqësuesit e industrisë kimike kanë rol të rëndësishëm në strukturat drejtuese dhe grupet e punës së aleancës, ndërsa organizatat mjedisore kanë pasur rol të kufizuar në vendimmarrje, përcjell Energy Monitor.
Kritikat lidhen veçanërisht me faktin se disa substanca të konsideruara “kritike” përfshijnë materiale me rrezik të lartë mjedisor dhe shëndetësor, si benzeni, klori, etileni, propileni dhe acidi hidrofluorik, i lidhur me grupin e kimikateve të njohura si PFAS.
Organizatat mjedisore argumentojnë se debati evropian po fokusohet më shumë në ruajtjen e kapaciteteve ekzistuese industriale, subvencionet dhe lehtësimin e rregullave, sesa në reduktimin e varësisë nga lëndët e para fosile, zvogëlimin e përdorimit të kimikateve të rrezikshme dhe kalimin drejt një industrie më të pastër, njofton Energy Monitor.
Industria kimike evropiane, ndërkohë, ka argumentuar se sektori po përballet me presione të mëdha nga kostot e larta të energjisë dhe konkurrenca nga Kina, duke kërkuar mbështetje për të ruajtur kapacitetet prodhuese në Evropë.
Debati pasqyron një nga dilemat kryesore të politikës industriale të BE-së: si të ruhet konkurrueshmëria e industrisë evropiane dhe siguria e furnizimit, pa dobësuar standardet mjedisore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.



