Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se Evropa mund të përballet me “javët më vdekjeprurëse” të kësaj vere, pasi një valë e re e të nxehtit ekstrem po formohet mbi Oqeanin Atlantik.
Sipas Reuters, temperaturat në Portugali dhe në jug të Spanjës pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim, duke rritur rrezikun për shëndetin publik dhe infrastrukturën.
Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, zhvilloi të hënën një takim urgjent me përfaqësues nga 41 shtete, Komisioni Evropian dhe organizata të shoqërisë civile për të analizuar mësimet nga vala e fundit e të nxehtit dhe për të përmirësuar përgatitjet për periudhën që vjen.
Sipas Kluge, vendet që kanë plane të posaçme shëndetësore për përballimin e temperaturave ekstreme reaguan më shpejt dhe mbrojtën më mirë qytetarët gjatë valës së nxehtësisë në fund të qershorit. Megjithatë, më pak se gjysma e shteteve anëtare të OBSH-së në Evropë kanë plane të tilla.
Ekspertët vlerësojnë se vala e të nxehtit e periudhës 20–28 qershor ishte më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë. Ajo shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike, dëmtime të infrastrukturës dhe mbingarkesë të sistemeve shëndetësore.
Shkencëtarët theksojnë se nxehtësia ekstreme lidhet pothuajse me siguri me ndryshimet klimatike.
Sipas të dhënave paraprake, Franca, Holanda dhe Belgjika regjistruan rreth 3.700 vdekje të lidhura me motin ekstrem, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet pas analizave përfundimtare.
OBSH thekson se grupet më të rrezikuara mbeten të moshuarit, banorët e qendrave të kujdesit dhe personat e pastrehë, të cilët në shumë vende ende nuk marrin mbrojtjen e nevojshme.
“Duhet të veprojmë në dy drejtime: të korrigjojmë mangësitë e evidentuara gjatë javëve të fundit përpara se të godasë vala e ardhshme e të nxehtit dhe të ndërtojmë sisteme shëndetësore që jo vetëm reagojnë ndaj nxehtësisë ekstreme, por janë të përgatitura për të ardhmen”, deklaroi Kluge.



