Home / Lajme / Kosova / Hapen aplikimet për fazën e dytë të skemës së granteve për energji të pastër në Kosovë

Hapen aplikimet për fazën e dytë të skemës së granteve për energji të pastër në Kosovë

Bizneset në Kosovë mund të aplikojnë për fazën e dytë të Skemës së Granteve për Energji të Pastër, një program që synon të mbështesë investimet në energji të pastër, efikasitet energjetik dhe uljen e kostove të energjisë për ndërmarrjet.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev), ka hapur thirrjen e re për aplikime.

Afati për aplikim është deri më 27 korrik 2026, ndërsa aplikimet bëhen përmes platformës e-Kosova.

Skema u dedikohet ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe bizneseve të tjera që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Mbështetja përfshin investime në sisteme solare fotovoltaike, bateri për ruajtjen e energjisë, masa për përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe pajisje që ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë në proceset prodhuese, njofton Energy Monitor.

Skema e Granteve për Energji të Pastër është pjesë e projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga KIESA në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev.

Qëllimi i programit është të ndihmojë bizneset të investojnë në teknologji më të pastra, të rrisin efikasitetin e përdorimit të energjisë dhe të përgatiten për sfidat e tregut energjetik, përfshirë rritjen e konkurrueshmërisë dhe kostot e energjisë.

Përveç mbështetjes financiare, skema përfshin edhe asistencë teknike dhe udhëzime për përgatitjen e investimeve. Në fazat paraprake të programit, bizneset kanë shprehur interes të veçantë për instalimin e sistemeve solare dhe baterive për ruajtjen e energjisë.

Informacionet për kriteret, procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm janë në dispozicion në platformat zyrtare të MINTI-t, KIESA-s dhe e-Kosova.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com