Home / Highlights / Mbi 2 milionë euro grante për biznese: lansohen skemat për inovacion dhe energji të pastër në Kosovë

Mbi 2 milionë euro grante për biznese: lansohen skemat për inovacion dhe energji të pastër në Kosovë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, ka lansuar dy skema të reja grantesh për mbështetjen e bizneseve në Kosovë, me fokus në inovacion dhe energji të pastër. Totali i mbështetjes financiare kalon vlerën prej 2 milionë eurosh.

Skema për inovacion, me buxhet prej 1.16 milionë euro, synon të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe bizneset start-up, në zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Sipas MINTI-t, qëllimi kryesor është nxitja e ideve që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, rritjen e punësimit, zgjerimin e eksporteve dhe forcimin e kapaciteteve inovative të sektorit të TIK-ut.

Në anën tjetër, skema për energji të pastër, me vlerë prej 380 mijë eurosh, do të mbështesë investimet e bizneseve në sisteme solare fotovoltaike, bateri, masa për efiçiencë energjetike dhe pajisje që rrisin efikasitetin e prodhimit. Grantet mbulojnë deri në 40 për qind të investimeve për sistemet solare dhe deri në 70 për qind për pajisjet që përmirësojnë efikasitetin e linjave prodhuese, ndërsa mbështetja maksimale për një biznes mund të arrijë deri në 25 mijë euro, përcjell Energy Monitor.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se skema për inovacion është e orientuar drejt bizneseve që zhvillojnë zgjidhje teknologjike si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, blockchain dhe platforma digjitale, duke synuar forcimin e konkurrueshmërisë së sektorit privat.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se skema për energji të pastër është e fokusuar kryesisht te ndërmarrjet prodhuese, të cilat kanë shpenzime të larta energjie dhe kanë potencial për ulje të kostove përmes investimeve në teknologji më efikase.

Ajo shtoi se përparësi në këtë skemë do të kenë bizneset që tashmë operojnë në tregun e hapur të energjisë dhe nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara, ndonëse aplikimi mbetet i hapur edhe për ndërmarrje të tjera prodhuese, njofton Energy Monitor.

Procesi do të zhvillohet vetëm përmes platformës e-Kosova. Aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, përfshirë certifikatën e biznesit, certifikatën tatimore, dëshminë e llogarisë bankare, raportet financiare dhe propozimin e projektit sipas formularit zyrtar, si dhe një video-prezantim të shkurtër të idesë.

Pagesa e grantit do të realizohet në dy këste: 80 për qind pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe dorëzimit të garancisë bankare, ndërsa 20 për qind pas përfundimit të projektit dhe miratimit të raportit final.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, thirrja për aplikim do të hapet në platformën e-Kosova dhe do të jetë e hapur për 15 ditë pune.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com