Njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” do të mbetet jashtë funksionit edhe pas 25 nëntorit, pasi punimet për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit nuk do të përfundojnë brenda afatit të paraparë me kontratë. Bashkimi Evropian ka konfirmuar se projekti është përballur me probleme teknike dhe logjistike, ndërsa nuk ka dhënë një datë të re për përfundimin e tij.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka bërë të ditur se punimet në B1 kanë filluar në prill të vitit 2026 dhe se afati kontraktual për përfundimin e tyre ishte 25 nëntori. Megjithatë, sfidat gjatë zbatimit kanë bërë të pamundur respektimin e këtij afati.
Për të përshpejtuar realizimin e projektit, BE-ja ka ndarë edhe 5.6 milionë euro shtesë, të cilat do të përdoren për sigurimin e pajisjeve të specializuara dhe angazhimin e punëtorëve shtesë në ndërrime. Gjithashtu, është forcuar mbikëqyrja e zbatimit të kontratës.
Sipas Zyrës së BE-së, Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës janë duke bashkëpunuar me KEK-un, kontraktorin dhe mbikëqyrësin për të identifikuar zgjidhje teknike dhe operacionale që do të mundësonin përshpejtimin e punimeve, përcjell Energy Monitor.
Kontributi i përgjithshëm i BE-së në këtë projekt arrin në rreth 84 milionë euro. Zbatimi është duke u realizuar nga një konsorcium ndërkombëtar nga Gjermania, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa mbikëqyrja i është besuar një kompanie të pavarur inxhinierike.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka konfirmuar më 16 nëntor se institucionet kanë marrë njoftim zyrtar për shtyrjen e afatit, por ende nuk kanë një datë të re për përfundimin e punimeve. Ajo ka thënë se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me BE-në dhe po kërkon nga Brukseli që të ushtrojë trysni ndaj kontraktorit për përshpejtimin e projektit.
Dy investime të ndara në Njësinë B1
Vonesat në projektin mjedisor kanë ndikuar edhe në rikthimin në operim të Njësisë B1, megjithëse KEK-u ka bërë të ditur se modernizimi i turbinave, një investim i veçantë i korporatës, ka përfunduar më 2 nëntor 2026.
Sipas KEK-ut, punimet për modernizimin e turbinave dhe komisionimi i ftohtë janë përmbyllur, por testimet përfundimtare dhe komisionimi në kushte reale të operimit mund të kryhen vetëm pasi të përfundojnë punimet në projektin mjedisor dhe njësia të rikthehet në funksion.
KEK-u ka theksuar se projekti i elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx financohet përmes fondeve IPA të Bashkimit Evropian. BE-ja është autoriteti kontraktues dhe përgjegjës për menaxhimin e kontratës, ndërsa KEK-u është përfitues i investimit.
Në sqarimin e saj, korporata ka përmendur disa faktorë që kanë ndikuar në zvarritjen e projektit, përfshirë pandeminë COVID-19, projektin e dilatimeve dhe falimentimin e njërit prej anëtarëve të konsorciumit kontraktues.
Fillimisht, punimet ishin planifikuar të nisnin në vitin 2020 për B1 dhe në vitin 2021 për B2. Megjithatë, punimet në B1 filluan vetëm më 10 prill 2026. Njësia ishte ndalur nga operimi më 4 prill, ndërsa periudha deri në fillimin e punimeve ishte shfrytëzuar për pastrimin e pajisjeve dhe përgatitjen e vendpunishtes.
Reduktim i ndotjes dhe rritje e prodhimit
Projekti synon të ulë ndotjen nga Termocentrali “Kosova B”, përmes instalimit të teknologjisë për kapjen e grimcave të pluhurit dhe reduktimin e oksideve të azotit (NOx).
Sipas parashikimeve të Bashkimit Evropian, pas përfundimit të investimit, emetimet e pluhurit pritet të reduktohen deri në 35 herë, ndërsa emetimet e oksideve të azotit deri në katër herë.
BE-ja pret gjithashtu që modernizimi të mundësojë rritje prej rreth 10 për qind të prodhimit të energjisë elektrike nga njësitë e përfshira në projekt, duke kontribuar në sigurinë energjetike dhe uljen e varësisë së Kosovës nga importet.
Njësia B1 ka kapacitet të instaluar prej 339 megavatësh, ndërsa në rrjet zakonisht dorëzon rreth 305 deri në 315 megavatë. Zgjatja e periudhës jashtë operimit nënkupton vazhdimin e mungesës së këtij kapaciteti në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, deri në përfundimin e punimeve dhe rikthimin e saj në prodhim.



