Home / Lajme / Kosova / INDEP kërkon rishikim të plotë të Udhërrëfyesit për Tranzicion të Drejtë në Kosovë

INDEP kërkon rishikim të plotë të Udhërrëfyesit për Tranzicion të Drejtë në Kosovë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka kërkuar që Udhërrëfyesi për Tranzicion të Drejtë i Republikës së Kosovës të kthehet për rishikim dhe rishkrim të plotë, duke vlerësuar se dokumenti në formën aktuale nuk i përmbush standardet e një plani gjithëpërfshirës për menaxhimin e ndryshimeve që sjell tranzicioni energjetik.

INDEP ka marrë pjesë në konsultimin publik për këtë dokument, ku ka dorëzuar analizën dhe komentet e tij. Sipas organizatës, udhërrëfyesi fokusohet kryesisht në aspektet energjetike të tranzicionit, por nuk trajton në masën e nevojshme pasojat sociale, ekonomike, territoriale dhe institucionale që mund të shoqërojnë largimin gradual nga modeli aktual energjetik, njofton Energy Monitor.

“Një Udhërrëfyes për Tranzicion të Drejtë duhet të tregojë qartë kush preket, ku preket, si preket, cilat masa do të ndërmerren, sa do të kushtojnë ato dhe kush do të mbajë përgjegjësi për zbatimin”, ka theksuar INDEP.

Sipas organizatës, dokumenti duhet të përfshijë një analizë të detajuar territoriale dhe socio-ekonomike, identifikimin e punëtorëve dhe komuniteteve që do të preken nga tranzicioni, një plan financiar të qartë, si dhe masa konkrete për trajtimin e varfërisë energjetike.

INDEP ka kërkuar gjithashtu përfshirje më të madhe të komunave, sindikatave dhe komuniteteve lokale në proces, si dhe hartimin e një Plani Veprimi me afate, kosto të përcaktuara dhe tregues të matshëm të zbatimit, transmeton Energy Monitor.

Organizata vlerëson se tranzicioni energjetik për Kosovën nuk duhet të shihet vetëm si një proces teknik i ndryshimit të burimeve të energjisë, por edhe si një proces social dhe ekonomik që kërkon përgatitje për punëtorët, zonat e prekura dhe ekonominë lokale.

Sipas INDEP, burimet e ripërtëritshme të energjisë, efiçienca energjetike, komunitetet energjetike, punësimi i gjelbër, rehabilitimi mjedisor dhe zhvillimi ekonomik lokal mund të shndërrohen në mundësi reale për një tranzicion më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

INDEP ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë dhe të kontribuojë në procesin e tranzicionit energjetik në Kosovë, duke kërkuar që ai të jetë i financuar, transparent dhe i orientuar drejt përfitimeve sociale për qytetarët.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com