Fokusi i ri i Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit po zhvillohet në një periudhë kur Evropa po kalon një transformim të madh industrial dhe strategjik. Me përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital, sigurimi i qasjes në lëndë të para kritike, si litiumi, kobalti, nikeli, elementët e rrallë dhe minerale të tjera strategjike, është bërë një prioritet për konkurrueshmërinë, sigurinë dhe pavarësinë strategjike të BE-së.
Ky zhvillim e vendos Ballkanin Perëndimor në një pozitë të veçantë. Rajoni ka rezerva të konsiderueshme minerare dhe po shihet gjithnjë e më shumë si një burim i afërt për furnizimin e Evropës me lëndë të para kritike. Megjithatë, projektet minerare në rajon po zhvillohen në një mjedis ku shpesh ka shqetësime për dobësinë e institucioneve, mungesën e transparencës, rreziqet nga korrupsioni dhe përfshirjen jo të mjaftueshme të komuniteteve lokale.
Një studim i Grupit Këshillues të Politikave Evropiane për Ballkanin (BiEPAG) analizon ndikimin e Akti të BE-së për Lëndët e Para Kritike, partneriteteve strategjike, marrëveshjeve dypalëshe dhe procesit të zgjerimit të BE-së në mënyrën se si qeverisen projektet minerare në Ballkanin Perëndimor.
Studimi trajton pyetjen kryesore: a mund të përputhet kërkesa në rritje e Bashkimit Evropian për minerale strategjike me angazhimet e tij për demokraci, sundim të ligjit, mbrojtje të mjedisit dhe qeverisje të përgjegjshme?
Raporti analizon gjithashtu projektet ekzistuese dhe ato të planifikuara minerare në rajon, duke shqyrtuar ndikimet e tyre politike, ekonomike, sociale, mjedisore dhe gjeopolitike. Një nga rastet më të përmendura është projekti i litiumit në Jadar të Serbisë, i cili është kthyer në një nga debatet më të mëdha publike në vend, për shkak të shqetësimeve lidhur me ndikimin në mjedis, besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe transparencën e procesit të vendimmarrjes.
Sipas studimit, interesi i shtuar për resurset minerare në Ballkanin Perëndimor sjell mundësi të reja ekonomike dhe investime, por njëkohësisht paraqet sfida të mëdha për mënyrën se si zhvillohen këto projekte dhe si mbrohen interesat publike.
Raporti ngre shqetësimin se kërkesa e Evropës për furnizim të sigurt me minerale mund të krijojë tension me standardet që BE-ja kërkon nga vendet kandidate në fushat e sundimit të ligjit, mbrojtjes së mjedisit dhe qeverisjes demokratike.
Megjithatë, sipas BiEPAG, nëse menaxhohen me transparencë, standarde të larta mjedisore dhe përfshirje të komuniteteve, projektet minerare mund të bëhen pjesë e një strategjie më të gjerë që forcon zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të rajonit.
Studimi është realizuar në kuadër të projektit “Interesi i BE-së për projektet minerare në Ballkanin Perëndimor” nga Balkans in Europe Policy Advisory Group (BiEPAG) dhe është financuar nga Stiftung Mercator. Përmbajtja e raportit nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e financuesit.



