Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) ka shënuar 20-vjetorin e themelimit, ndërsa në kuadër të aktiviteteve për këtë përvjetor është vlerësuar rëndësia e bashkëpunimit rajonal për zhvillimin e sektorit energjetik.
Në panelin e diskutimit të organizuar me rastin e jubileut të KOSTT-it, drejtori i përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Maqedonisë së Veriut (MEPSO), Burim Latifi, tha se bashkëpunimi ndërmjet operatorëve të transmetimit është një nga parakushtet kryesore për një tranzicion të suksesshëm energjetik.
Sipas tij, zhvillimi i interkoneksioneve të reja, investimet në rrjetet e transmetimit dhe planifikimi i përbashkët rajonal janë të domosdoshme për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe forcimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, përcjell Energy Monitor.
“Bashkëpunimi rajonal është një nga parakushtet kryesore për një tranzicion të suksesshëm energjetik”, tha Latifi, duke theksuar se sistemet elektroenergjetike të vendeve të rajonit duhet të zhvillohen në mënyrë të koordinuar për t’iu përgjigjur rritjes së prodhimit nga burimet e diellit dhe erës.
Ai shtoi se MEPSO po punon në realizimin e projekteve strategjike që synojnë forcimin e lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me sistemet elektroenergjetike të vendeve fqinje dhe me rrjetin evropian të transmetimit, transmeton Energy Monitor.
KOSTT, i themeluar në vitin 2006, gjatë dy dekadave të fundit është shndërruar në një nga institucionet kryesore të sektorit energjetik në Kosovë, duke menaxhuar rrjetin e transmetimit dhe duke luajtur rol të rëndësishëm në integrimin e tregut të energjisë.
Gjatë ceremonisë së 20-vjetorit, përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve rajonalë kanë vlerësuar zhvillimin e KOSTT-it, investimet në infrastrukturën e transmetimit dhe përpjekjet për integrimin e Kosovës në tregjet rajonale të energjisë.



