Home / Lajme / Kosova / Kadaj-Bujupi: Politikat energjetike duhet të bazohen në interesin shtetëror, jo në interesa partiake

Kadaj-Bujupi: Politikat energjetike duhet të bazohen në interesin shtetëror, jo në interesa partiake

Ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka kërkuar që vendimmarrja për sektorin e energjisë në Kosovë të udhëhiqet nga interesi afatgjatë i vendit dhe jo nga kalkulimet politike.

Në një reagim publik, ajo ka theksuar se energjia është një sektor strategjik ku vendimet e gabuara apo obligimet e marra pa analiza të plota mund të kenë pasoja që qytetarët i bartin për dekada.

“Interesi i Kosovës qëndron mbi interesat partiake. Sidomos kur flasim për energji”, ka shkruar Kadaj-Bujupi, duke shtuar se orientimi strategjik i vendit duhet të bazohet në analiza profesionale dhe jo në interesa të momentit.

Sipas saj, Kosova duhet të shfrytëzojë potencialet e veta energjetike, përfshirë rezervat e linjitit dhe infrastrukturën ekzistuese, por përmes teknologjive moderne që mund të rrisin sigurinë energjetike dhe të zvogëlojnë varësinë nga importi.

Ajo ka përmendur gazifikimin si një mundësi që duhet të analizohet në kuadër të përdorimit më efikas të rezervave vendore, ndërsa ka theksuar se çdo projekt që i shërben interesit të vendit duhet të mbështetet pavarësisht se nga kush propozohet, përcjell Energy Monitor.

Në kontekstin e diversifikimit të furnizimit me energji, Kadaj-Bujupi ka vlerësuar se edhe projektet rajonale të gazit, përfshirë centralin e Vlorës me gaz natyror të lëngshëm (LNG) amerikan në bashkëpunim me Shqipërinë, si dhe zhvillimi i kapaciteteve nga energjia e erës dhe diellit në Kosovë, mund të luajnë rol në forcimin e sigurisë energjetike.

“Centrali i Vlorës me gaz të lëngëzuar amerikan (LNG) në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, si dhe investimet në erën e diellin e Kosovës, janë shtylla të domosdoshme të diversifikimit dhe sigurisë së furnizimit”, ka shkruar ajo.

Debati për rolin e gazit në sistemin energjetik të Kosovës është intensifikuar javëve të fundit, pas thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara që Kosova të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes në projektet rajonale të LNG-së, ndërsa institucionet evropiane kanë kërkuar që çdo vendim të vlerësohet në përputhje me objektivat klimatike, sigurinë e furnizimit dhe tranzicionin energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com