Franca po konsideron Sirinë si një korridor alternativ për transportin e naftës nga Gjiri Persik, duke synuar të reduktojë varësinë nga Ngushtica e Hormuzit pas tensioneve të reja mes SHBA-së dhe Iranit.
Në një intervistë për rrjetin francez TF1, ministri i Jashtëm Jean-Noël Barrot deklaroi se Parisi po punon për diversifikimin e korridoreve energjetike për të garantuar furnizime të qëndrueshme në tregjet globale.
“Ndër të gjitha përpjekjet që kemi bërë që nga fillimi i kësaj krize, është edhe ideja e përgatitjes së rrugëve alternative që të mos jemi të varur nga bllokimet këtu e atje”, tha Barrot.
Deklarata vjen vetëm disa ditë pas vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Siri, ku ai u takua me udhëheqësin e ri sirian Ahmad al-Sharaa.
Gjatë vizitës, Macron theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke përfshirë edhe fushën energjetike.
Ky zhvillim reflekton përpjekjet e Europës për të gjetur zgjidhje alternative në mes të pasigurisë gjeopolitike në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas incidenteve të fundit në Ngushticën e Hormuzit që rrezikojnë rrjedhën e naftës nga vendet prodhuese të Gjirit.
/rtsh.al



