Në Kramovik të Komunës së Rahovecit kanë nisur punimet për ndërtimin e parkut solar fotovoltaik me kapacitet prej 105 MW, projekt i cili vjen si rezultat i ankandit të parë konkurrues të organizuar nga Ministria e Ekonomisë për zhvillimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme në Kosovë.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ky investim përbën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e objektivave të Republikës së Kosovës për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme dhe rritjen e sigurisë energjetike, përcjell Energy Monitor.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përfaqësuesit e projektit “Lindja Solar”, Linda Helms, Destan dhe Avni Orllati, si dhe partnerë të tjerë të sektorit të energjisë.
Kurti: Modeli i ankandeve të mëdha energjetike do të vazhdojë
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e kapacitetit të ri solar për sistemin energjetik të Kosovës, duke u ndalur edhe te procesi përmes të cilit u përzgjodh investitori.
“Parku do të ketë kapacitet prej 105 megavatësh për kyçje në rrjet, ku ky kapacitet tregon madhësinë e projektit dhe rëndësinë e tij për sistemin tonë energjetik”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, procesi i përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues janë rezultat i një qasjeje të bazuar në transparencë dhe konkurrencë ndërmjet investitorëve.
“Mënyra e përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues tregojnë kthesën që qeverisja jonë ka sjellë në projektet e mëdha të energjisë: transparencë e plotë ku secili ka qasje në të gjithë dokumentacionin, investitorët informohen njësoj dhe konkurrojnë në kushte të barabarta e të qarta. Ky model tashmë është vendosur, është dëshmuar dhe do të vazhdojë”, ka thënë Kurti.
Rizvanolli: Realizimi i projektit kërkoi përgatitje të shumta
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se kalimi nga faza e ankandit deri te fillimi i ndërtimit përfshin një sërë procesesh teknike dhe administrative.
“Rruga nga ankandi deri te ndërtimi nuk përbëhet vetëm nga puna që shihet në terren. Lejet, studimet, projektimi, financimi, prokurimi i pajisjeve dhe marrëveshjet për kyçje nuk prodhojnë gjithmonë fotografi, por pa to nuk do të prodhohej asnjë megavat energji”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo ka vlerësuar se investimi paraqet një besim në Kosovën, institucionet e saj dhe të ardhmen e sektorit energjetik.
“Ky projekt bashkon kapitalin dhe përvojën e diasporës me ekspertizën e kompanive vendore dhe ndërkombëtare”, ka shtuar ministrja.
Orllati: Projekt i realizuar përmes bashkëpunimit
Përfaqësuesi i projektit “Lindja Solar”, Destan Orllati, ka thënë se fillimi i punimeve është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet investitorëve dhe institucioneve të Kosovës.
“Sot nuk po fillojmë vetëm një kantier ndërtimi, por po ndërtojmë disa muaj punë, bashkëpunim dhe besim”, ka deklaruar Orllati.
Sipas tij, projekti do të prodhojë energji elektrike nga burime të ripërtërishme dhe do të kontribuojë në forcimin e sigurisë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin energjetik të Kosovës.
“Mundësia për ta realizuar këtë projekt në Kosovë është një nder dhe privilegj. Ky projekt do të prodhojë energji elektrike nga burime të ripërtërishme, por rëndësia e tij shkon përtej kësaj”, ka thënë Orllati.
Pesë ofertues morën pjesë në ankandin solar
Energy Monitor përcjell se në ankandin konkurrues për parkun solar morën pjesë pesë kompani dhe konsorciume: Orllati (VD) SA, Çalık–Limak Rahovec SPP Consortium, Güris İnşaat ve Mühendislik A.Ş., Akuo Energy SAS dhe Elsewedy Electric S.A.E.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, këto kompani përfaqësonin investitorë nga Kosova, Zvicra, Gjermania, Turqia, Franca dhe Egjipti.
Fitues i ankandit u shpall konsorciumi Orllati, me çmim fitues prej 48.88 euro/MWh.
Ministria ka theksuar se procesi është zhvilluar përmes një dialogu të hapur dhe transparent, me raunde të shumta sqarimesh, duke mundësuar konkurrencë ndërmjet ofertuesve.
Fillimi i punimeve në Kramovik shënon fazën e realizimit të një prej projekteve më të mëdha solare të përzgjedhura përmes ankandit konkurrues në Kosovë.



