Home / Lajme / Rajoni / Miratohet plani i furnizimit me rrymë për qendrën gjigante të të dhënave në Kroaci

Miratohet plani i furnizimit me rrymë për qendrën gjigante të të dhënave në Kroaci

Operatori kroat i transmetimit të energjisë elektrike, HOPS, ka miratuar planin teknik për furnizimin me energji të qendrës së të dhënave të inteligjencës artificiale “Pantheon AI”, një projekt me kapacitet deri në 1 GW në Topusko të Kroacisë. 

Miratimi i planit hap rrugën për marrëveshjen e kyçjes në rrjet dhe për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme energjetike, e cila përfshin më shumë se 500 milionë euro investime në linja të reja të transmetimit, një nënstacion 400 kV në Topusko, lidhje optike dhe infrastrukturë tjetër mbështetëse. 

Sipas zhvilluesve, infrastruktura e re jo vetëm që do të sigurojë furnizimin e qendrës së madhe të të dhënave, por do të mundësojë edhe integrimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme në sistemin elektroenergjetik të Kroacisë. Projekti lidhet me mundësinë e integrimit të mbi 5 GW kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme në rrjetin kombëtar, përcjell Energy Monitor.

Pantheon AI planifikohet të furnizohet me energji nga burime të ripërtëritshme, përfshirë një park diellor prej rreth 500 MW dhe sistem të ruajtjes së energjisë me bateri me kapacitet të madh. 

Në projekt janë përfshirë edhe kompani kroate të sektorit energjetik dhe infrastrukturor, përfshirë grupin KONČAR dhe Dalekovod, të cilat pritet të kontribuojnë në ndërtimin e infrastrukturës energjetike. 

Ndërtimi i kampusit energjetik dhe teknologjik në Topusko pritet të fillojë në vitin 2027, ndërsa projekti shihet si një nga investimet më të mëdha private në historinë e Kroacisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com