Kompania amerikane e ndërtimit Bechtel, në partneritet me kompaninë turke ENKA, është kualifikuar për fazën e dytë të procedurës për realizimin e projektit të hidrocentralit reversibil Gjerdap 3 në Serbi.
Sipas Ministrisë së Minierave dhe Energjetikës së Serbisë, konsorciumi i udhëhequr nga Bechtel ka dorëzuar dokumentacionin që ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në thirrjen publike, duke u bërë i vetmi kandidat i ftuar për vazhdimin e procedurës, ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Thirrja publike ishte drejtuar kompanive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shprehur interesim për pjesëmarrje në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm energjetik. Deri në afatin e aplikimit, më 25 qershor, ishin dorëzuar gjashtë shprehje interesi nga kompani dhe konsorciume ndërkombëtare, përfshirë Voith Hydro, Fresh Development, Channell Commercial Corporation, Moravacem dhe Global TBM Company (Robbins), pëcjell Energy Monitor.
Pas vlerësimit të dokumentacionit, grupi punues i Qeverisë së Serbisë për përzgjedhjen e realizuesit vendosi që vetëm konsorciumi i udhëhequr nga Bechtel plotësonte kushtet për të kaluar në fazën e dytë.
Gjerdap 3, projekt për ruajtjen e energjisë dhe stabilitetin e rrjetit
Hidrocentrali reversibil Gjerdap 3 është një nga projektet më ambicioze energjetike të Serbisë, i cili synon të rrisë kapacitetet për ruajtjen e energjisë elektrike dhe fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik.
Ndryshe nga hidrocentralet klasike, hidrocentralet reversibile mund të funksionojnë edhe si sisteme magazinimi të energjisë. Në periudhat kur prodhimi i energjisë është më i lartë se kërkesa, uji pompohet në rezervuarin e sipërm duke përdorur energji elektrike, ndërsa në periudhat e konsumit të lartë uji lëshohet përmes turbinave për të prodhuar energji, njofton Energy Monitor.
Këto projekte po marrin rëndësi të veçantë në Evropë për shkak të rritjes së kapaciteteve nga burimet e energjisë së ripërtëritshme, veçanërisht nga energjia diellore dhe ajo e erës, të cilat kanë prodhim të ndryshueshëm në varësi të kushteve atmosferike.
Gjerdap 3 pritet të kontribuojë në stabilizimin e rrjetit, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe integrimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme në sistemin energjetik të Serbisë.
Bechtel me prezencë në projekte energjetike në Ballkan
Bechtel ka shfaqur interes për projektin Gjerdap 3 prej disa vitesh. Në vitin 2022, kompania kishte bërë të ditur se po shqyrtonte mundësinë e financimit të studimit të parafizibilitetit për këtë projekt.
Kompania amerikane është aktive edhe në projekte të tjera energjetike në rajon. Bechtel është përmendur si një nga kompanitë potenciale për realizimin e Interkoneksionit Jugor të Gazit në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa më herët ka bashkëpunuar me Shqipërinë për përgatitjen e planit të veprimit për projektin hidroenergjetik të Skavicës, përcjell Energy Monitor.



