Masdar dhe Elektroprivreda Crne Gore (EPCG) kanë kaluar në fazën e realizimit të projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë së ripërtëritshme, duke nënshkruar marrëveshje për zhvillimin e kapaciteteve solare dhe hidroenergjetike në Mal të Zi.
Marrëveshjet e reja përfshijnë dy projekte solare me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 190 MWp, si dhe një marrëveshje kornizë për studimin e zhvillimit të projekteve të hidrocentraleve reverzibile me kapacitet mbi 400 MW.
Partneriteti mes kompanisë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kompanisë shtetërore malazeze synon zhvillimin e deri në 2 GW kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme të energjisë në Mal të Zi, përfshirë energjinë solare, hidroenergjinë, energjinë e erës, bateritë për ruajtje dhe zgjidhje hibride energjetike.
Sipas marrëveshjeve, projektet e para që do të zhvillohen janë parku solar Shtedim me kapacitet 140 MWp dhe parku solar Krupac me kapacitet 50 MWp, njofton Energy Monitor.
Përveç kapaciteteve solare, Masdar dhe EPCG kanë nënshkruar edhe marrëveshje për bashkëpunim në zhvillimin e hidrocentraleve reverzibile me fuqi mbi 400 MW. Këto projekte synojnë të rrisin fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik duke mundësuar ruajtjen e energjisë kur prodhimi është më i lartë dhe përdorimin e saj në periudhat kur kërkesa rritet.
“Marrëveshjet e sotme paraqesin një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një portofoli të ri prodhues nga energjia e gjelbër”, u shpreh drejtori ekzekutiv i EPCG, Zdravko Dragaš, duke theksuar se partneriteti do të mbështesë investimet afatgjata të kompanisë në sektorin energjetik.
Ministri i Energjisë dhe Minierave i Malit të Zi, Admir Šahmanović, tha se vetëm tre muaj pas krijimit të kompanisë së përbashkët mes Masdar dhe EPCG, partneriteti ka kaluar në fazën e realizimit konkret të projekteve, përcjell Energy Monitor.
“Përmes këtij partneriteti nuk po ndërtojmë vetëm kapacitete të reja energjetike, por po krijojmë kushte për një Mal të Zi më të sigurt dhe më konkurrues në aspektin energjetik”, deklaroi ai.
Masdar dhe EPCG në prill të këtij viti njoftuan krijimin e një kompanie të përbashkët me pronësi 50:50, me synim zhvillimin e projekteve të mëdha në sektorin e energjisë së ripërtëritshme.
Partneriteti synon që energjia e prodhuar të përdoret për nevojat vendore, por edhe të mbështesë eksportin e energjisë elektrike drejt tregjeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Jugore, përfshirë përmes lidhjes ekzistuese nënujore të transmetimit me Italinë.



