Ngjan me parqet e mëdha fotovoltaike në shkretëtirat e Kinës, por bëhet fjalë për Kapino Poljen pranë Nikshiqit, ku Elektroprivreda Crne Gore (EPCG) po ndërton një kompleks të rëndësishëm solar me kapacitet total prej 52.2 MWp.
Projekti përbëhet nga katër impiante fotovoltaike të ndara në faza dhe përfaqëson një investim prej mbi 36 milionë eurosh. Faza e parë përfshin impiantet L1 dhe L2 me kapacitete përkatësisht 5.76 MWp dhe 6.06 MWp, ndërsa fazat B1 dhe B2 do të shtojnë edhe 40.42 MWp të tjera. Faza më e madhe, B2, me kapacitet prej 28.88 MWp, do të shtrihet në rreth 459 mijë metra katrorë dhe do të përfshijë rreth 64,800 panele solare, me prodhim të pritshëm mbi 50 GWh energji elektrike në vit.
| Faza | Fuqia (MWp) | Vlera e investimit (€) | Statusi |
| L1 | 5,76 | 4,01 mln € | Ne fazë përfundimtare të ndërtimit. |
| L2 | 6,06 | 4,22 mln € | Ne fazë përfundimtare të ndërtimit. |
| B1 | 11,54 | 8,04 mln € | Pëlqimi mjedisor është marrë në qershor 2026, përgatitjet për vënien në punë janë në vijim. |
| B2 | 28,88 | 20,13 mln € | Hartimi i projektit kryesor është në proces, ndërsa vënia në punë është planifikuar për vitin 2027. |
| Gjithsejt | 52,2 MWp | 36,4 mln € |
Sipas planifikimeve, fazat e kompleksit pritet të përfundojnë gradualisht deri në vitin 2027, duke u bërë pjesë e ciklit të investimeve të EPCG për rritjen e kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Kapino Polje është pjesë e një strategjie më të gjerë të Malit të Zi për zhvillimin e energjisë diellore.
Krahas këtij projekti, EPCG po zhvillon edhe parqe të tjera solare, përfshirë projektet në Krupac me 47 MW, Graçanicë me 20 MW, Željezarë me 26.47 MW, si dhe impiante në zonën e digave Vrtac, Slano dhe Krupac, përcjell Energy Monitor.
Së bashku, këto projekte pritet të sjellin mbi 150 MW kapacitete të reja solare në sistemin elektroenergjetik të Malit të Zi, duke rritur pjesën e energjisë së pastër në prodhimin vendor.
Përveç projekteve të mëdha, EPCG po mbështet edhe instalimin e paneleve solare në çatitë e familjeve dhe bizneseve përmes programeve Solari 3000+, Solari 500+ dhe Solari 5000+. Përmes këtyre skemave deri tani janë realizuar mbi 89 MWp kapacitete fotovoltaike, ndërsa programi i paralajmëruar Solari 10.000+ synon shtimin e rreth 80 MWp të tjera gjatë viteve 2027–2028.
Megjithatë, projekti në Kapino Polje ka hasur edhe kundërshtime nga organizatat mjedisore. Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) ka ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm të impianteve në një zonë të konsideruar ekologjikisht të ndjeshme.
Me investimet në Kapino Polje dhe projekte të tjera të reja, Mali i Zi po synon të zgjerojë kapacitetet nga burimet e ripërtëritshme dhe të reduktojë varësinë nga burimet tradicionale të prodhimit të energjisë elektrike.



