Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka licencuar projektet e erës EV Wind Park Zatric 1 dhe EV Wind Park Zatric 2, me kapacitet të përbashkët prej rreth 70 MW, duke i hapur rrugë shtimit të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Vendimet u morën në seancën e nëntë të Bordit të ZRRE-së për vitin 2026, të mbajtur më 31 korrik.
Sipas ZRRE-së, me licencimin e këtyre projekteve të erës, sistemit elektroenergjetik të Kosovës i shtohen rreth 70 MW kapacitete të reja prodhuese, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë së furnizimit, përcjell Energy Monitor.
Projektet EV Wind Park Zatric 1 dhe Zatric 2 janë pjesë e Parkut të Erës në Zatriq, të zhvilluara nga EV Wind Park SH.P.K., kompani e lidhur me Çalık Renewables / Çalık Enerji, me pjesëmarrje edhe të partnerit lokal Eurokos.
ZRRE miraton rregullën për komunitetet energjetike dhe shqyrton sistemet me bateri
Në të njëjtën seancë, Bordi i ZRRE-së miratoi Rregullën për Bashkësitë e Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme (BEBR), duke avancuar kuadrin rregullativ për zhvillimin e modeleve të reja të prodhimit dhe konsumit të energjisë së pastër.
Kjo rregull pritet të krijojë bazë më të qartë për konsumatorët, bizneset dhe komunitetet që të organizohen për prodhimin dhe përdorimin e përbashkët të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, transmeton Energy Monitor.
Bordi shqyrtoi gjithashtu kërkesën e kompanisë Solar Energy Group Europe (SEGE) SH.P.K. për modifikimin e autorizimit dhe përfshirjen e një sistemi të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS – Battery Energy Storage Systems). ZRRE vlerësoi se kërkesa është e pranueshme dhe i dha mundësi aplikuesit të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për zhvillimin e kësaj veprimtarie në përputhje me legjislacionin në fuqi.
19 autorizime për vetë-konsum
Bordi i ZRRE-së miratoi gjithashtu 19 kërkesa për pajisje me autorizim për vetë-konsum, me kapacitet total të instaluar prej 388.2 kW.
Ndërkohë, gjatë seancës u shqyrtua edhe Raporti i ZRRE-së lidhur me procedurën e dhënies në shfrytëzim të hidrocentralit “Lumbardhi I”, ku u konstatua se nuk janë përmbushur të gjitha detyrimet ligjore dhe dokumentacioni i aplikimit për licencim nuk është i plotë.
ZRRE bëri të ditur se të gjitha vendimet e miratuara nga Bordi do të publikohen në faqen zyrtare të institucionit.



