Home / Lajme / Kosova / Shala: CBAM po ndryshon konkurrueshmërinë e energjisë në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria fiton avantazh, Kosova përballet me koston e karbonit

Shala: CBAM po ndryshon konkurrueshmërinë e energjisë në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria fiton avantazh, Kosova përballet me koston e karbonit

Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufi (CBAM) i Bashkimit Evropian po fillon të ndikojë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor, duke krijuar dallime të mëdha mes vendeve të rajonit, sipas analizës së fundit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për tremujorin e dytë të vitit 2026.

Sipas ish-kryeshefit ekzekutiv të KOSTT dhe kryeshefit ekzekutiv të Global Energy Solutions, Ilir M. Shala, i cili ka analizuar të dhënat e raportit, Shqipëria dhe Kosova ndodhen në pozicione shumë të ndryshme përballë ndikimit të CBAM, kryesisht për shkak të strukturës së tyre të prodhimit të energjisë elektrike.

Shqipëria paraqitet si një nga përfitueset kryesore të këtij mekanizmi, pasi prodhimi i saj dominohet nga energjia hidrike dhe burimet e tjera të ripërtëritshme. Faktori standard i emetimeve për energjinë elektrike shqiptare është 0 tCO₂/MWh, që nënkupton se eksportet e energjisë elektrike drejt tregut të Bashkimit Evropian nuk përballen me kosto shtesë nga CBAM, njofton Energy Monitor.

Ndryshe është situata në Kosovë, ku pjesa më e madhe e prodhimit vazhdon të bazohet në termocentrale me linjit. Sipas të dhënave të raportit, faktori standard i emetimeve për Kosovën është 0.984 tCO₂/MWh, ndërsa kostoja e vlerësuar e CBAM arrin rreth 74.08 euro/MWh për energjinë e prodhuar nga burimet me intensitet të lartë të karbonit.

Ky nivel i kostos mund ta bëjë energjinë elektrike nga termocentralet me linjit më pak konkurruese në tregun evropian dhe rrit presionin për përshpejtimin e investimeve në burime të energjisë së ripërtëritshme, sisteme të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS) dhe modernizimin e sistemit energjetik.

Kosova dhe Shqipëria në të njëjtin treg energjetik, por me sfida të ndryshme nga CBAM

Raporti i Komunitetit të Energjisë vëren gjithashtu se për herë të parë janë analizuar së bashku tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat funksionojnë si një treg i bashkuar i energjisë elektrike përmes Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX).

Çmimet mesatare të energjisë elektrike në tremujorin e dytë të vitit 2026 ishin pothuajse të njëjta në të dy zonat e tregut, me Shqipërinë në 88.6 euro/MWh dhe Kosovën në 89.0 euro/MWh.

Megjithatë, raporti evidenton edhe pasiguri për zhvilluesit e projekteve të reja të energjisë së ripërtëritshme në vendet e Komunitetit të Energjisë, veçanërisht sa i përket përdorimit të faktorëve realë të emetimeve dhe ndikimit të tyre në marrëveshjet afatgjata për shitblerjen e energjisë elektrike (PPA), përcjell Energy Monitor.

Sipas Shalës, CBAM nuk është më vetëm një instrument i politikës klimatike të Bashkimit Evropian, por po shndërrohet në një faktor që ndikon drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë, investimet dhe zhvillimin afatgjatë të sektorit energjetik në rajon.

Ndërsa Shqipëria ka krijuar një avantazh të rëndësishëm për eksportin e energjisë së pastër drejt tregut evropian, Kosova përballet me nevojën për të përshpejtuar tranzicionin energjetik dhe për të ulur varësinë nga prodhimi me bazë qymyri, në mënyrë që të ruajë konkurrueshmërinë në një treg evropian gjithnjë e më të ndikuar nga kostot e karbonit.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë monitoron ndikimin e CBAM në tregjet rajonale

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka publikuar raportin e dytë tremujor për ndikimin e Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufi (CBAM), i cili analizon zhvillimet në tregjet e energjisë elektrike gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026 dhe ndikimin e rregullave të reja të karbonit në vendet kontraktuese të Komunitetit të Energjisë.

Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe është vërejtur një rikuperim i pjesshëm i korrelacionit të çmimeve, konvergjencës së çmimeve dhe tregtisë ndërkufitare, pas rritjes së importeve të energjisë elektrike nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian drejt vendeve të Komunitetit të Energjisë.

Raporti evidenton gjithashtu se rritja e flukseve tregtare në disa korridore energjetike, siç është rasti i eksporteve nga Serbia drejt Hungarisë, mund të sinjalizojë shfaqjen e tregjeve të reja për energjinë elektrike nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Ukrainën si një destinacion potencial, njofton Energy Monitor.

Megjithatë, Sekretariati thekson se prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme dhe zhvilluesit e projekteve të reja në vendet e Komunitetit të Energjisë po përballen me vështirësi praktike për të dëshmuar përputhshmërinë me kërkesat e CBAM, veçanërisht lidhur me përdorimin e vlerave reale të emetimeve.

Këto paqartësi rregullative mund të krijojnë kosto shtesë për projektet e energjisë së ripërtëritshme dhe pasiguri për investitorët, veçanërisht në lidhje me marrëveshjet afatgjata për shitblerjen e energjisë elektrike (PPA).

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet e tregut nën ndikimin e CBAM dhe të vlerësojë pasojat e tij në raportet e ardhshme tremujore.

CBAM është mekanizmi i Bashkimit Evropian që synon krijimin e kushteve të barabarta konkurruese për prodhuesit dhe importuesit në tregun evropian, përfshirë edhe sektorin e energjisë elektrike. Ky mekanizëm nuk është pjesë e legjislacionit të Komunitetit të Energjisë, por ndikimi i tij po ndihet gjithnjë e më shumë në tregjet energjetike të vendeve të rajonit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com