Fondi prej 76.4 milionë eurosh për instalimin e elektrofiltrave në termocentralin Kosova B ishte siguruar nga Bashkimi Evropian që në vitin 2019, por projekti u shty vazhdimisht për shtatë vjet. Buletini Ekonomik sjell kronologjinë e vonesave, arsyet dhe dyshimet që kanë shoqëruar një nga investimet më të rëndësishme për uljen e ndotjes së ajrit në Kosovë.
Kur Bashkimi Evropian kishte ndarë mbi 76 milionë euro për instalimin e elektrofiltrave në Termocentralin “Kosova B”, pritjet ishin që ndotja nga një prej burimeve kryesore të ajrit të ndotur në Kosovë të fillonte të zvogëlohej brenda pak vitesh. Në vend të kësaj, projekti u zvarrit për shtatë vjet, me afate që ndryshonin vazhdimisht dhe me arsyetime të ndryshme për çdo shtyrje.
Kështu, një projekt që do të duhej të fillonte në vitin 2019 dhe të kryhej në vitin 2020 ose më së largu deri në vitin 2021, u shty pafundësisht, për të filluar vetëm në muajin prill të vitit 2026.
Ata që pësuan nga këto vonesa dhe shtyrje të dyshimta të këtij projekti, pa dyshim se janë fillimisht banorët komunës së Obiliqit dhe ata të kryeqytetit, Prishtinës.
Në periudha të caktuara, sidomos gjatë dimrit, Prishtina, Obiliqi dhe zonat përreth, renditen vazhdimisht ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë.
Vetëm gjatë muajve janar dhe shkurt të këtij viti, kryeqyteti i Kosovës në disa raste u rendit në krye të listës globale të qyteteve me ajrin më të ndotur. Në disa ditë të stinës së ftohtë, Prishtina ishte madje ndër pesë qytetet me cilësinë më të dobët të ajrit në botë.
Burimi kryesor i kësaj ndotjeje dihet prej vitesh – termocentralet e vjetruara të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Përveç ndikimit në mjedis, ndotja ka pasoja serioze edhe për shëndetin e banorëve që jetojnë pranë termocentraleve. Në këto zona janë raportuar prej vitesh raste të shumta të sëmundjeve kronike, si dhe raste të kancerit, të cilat banorët dhe ekspertët i lidhin me ndotjen e vazhdueshme.
Sipas Bankës Botërore, ndotja e ajrit shkakton rreth 760 vdekje të parakohshme çdo vit në Kosovë, ku termocentralet janë një nga kontribuesit kryesorë.
Pavarësisht iniciativave dhe projekteve të shumta ndër vite, deri tani nuk ishte realizuar një zgjidhje afatgjatë për uljen e emetimeve.
Vetëm në prill të këtij viti nisën punimet për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx në Termocentralin Kosova B, një projekt që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në historinë e KEK-ut. Ky investim është pritur me interes jo vetëm nga sektori energjetik, por edhe nga qytetarët, veçanërisht banorët që jetojnë pranë termocentraleve.
Sipas përgjigjes zyrtare të KEK-ut, punimet kanë nisur fillimisht në bllokun B1, i cili po i nënshtrohet një modernizimi të thellë, duke përfshirë instalimin e elektrofiltrit dhe sistemit DeNOx. Përfundimi i këtyre punimeve pritet në fillim të muajit dhjetor.
Edhe pse modernizimi i bllokut dhe instalimi i elektrofiltrave janë dy projekte të ndara, ato po realizohen paralelisht për të shmangur ndaljen e prodhimit të energjisë në dy periudha të ndryshme.
Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njoftoi se punimet do të fillonin në prill të vitit 2026, pasi ishin përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe ligjore për realizimin e projektit.
Projekti, i financuar nga Bashkimi Evropian me mbi 76 milionë euro, synon të reduktojë ndjeshëm emetimet e pluhurit dhe oksideve të azotit (NOx), duke përmirësuar cilësinë e ajrit në Kosovë dhe në rajon. Sipas BE-së, ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit energjetik dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Ky investim i madh do të zvogëlojë ndjeshëm emetimet dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit në të gjithë Kosovën dhe rajonin”, thuhej në njoftimin e Bashkimit Evropian të publikuar në nëntor 2025.
Megjithatë, realizimi i këtij projekti është vonuar për vite me radhë. Edhe pse fondet ishin siguruar që në vitin 2019, nisja e punimeve u shty vazhdimisht. Brenda shtatë vjetësh pati katër deri në pesë shtyrje të dyshimta të afateve për fillimin e instalimit të elektrofiltrave.
Autoritetet vendore, si një nga arsyet kryesore të këtyre vonesave, kanë përmendur masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës në vitet e fundit. Megjithatë, kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përgjegjëse, ndërsa arsyet e plota të zvarritjes së projektit mbeten ende të paqarta.
Buletini Ekonomik, nga bisedat me inxhinierë të KEK-ut, ka kuptuar se një arsye tjetër ndërlidhet edhe me vonesat për kryerjen e disa punëve përgatitore që kanë qenë kusht për fillimin e punimeve për vendosjen e elektrofiltrave. Një nga këto punë përmendet ajo për delatimin e kazanëve që ishte ndarë si proces nga punët për vendosjen e elektrofiltrave.
Kronologjia e zvarritjeve të projektit
Historia e projektit tregon një zinxhir të gjatë zvarritjesh. Fillimisht ishte planifikuar që punimet të nisnin gjatë vitit 2020, por nga ajo që është thënë zyrtarisht thuhet se pandemia COVID-19 bëri që ato të shtyheshin për vitin 2021. As atëherë nuk pati lëvizje konkrete dhe fillimi u riprogramua për 1 shkurt 2022.
Edhe ky afat dështoi të realizohej. Punimet u shtynë fillimisht për vitin 2023, ndërsa më pas edhe për 2024, pa ndonjë shpjegim bindës për publikun. Në vazhdim u caktua një tjetër afat, 20 prilli 2025, si datë kur projekti duhej të hynte më në fund në fazën e zbatimit. Por edhe ky premtim mbeti vetëm në letër.
Kështu, për shtatë vjet me radhë, një projekt i konsideruar jetik për uljen e ndotjes së ajrit në Prishtinë, Obiliq dhe zonat përreth mbeti peng i shtyrjeve të vazhdueshme.
Vetëm në pranverën e vitit 2026 nisën punimet për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, duke i dhënë fund, të paktën përkohësisht, një serie të gjatë vonesash që vazhdojnë të ngjallin pikëpyetje për arsyet e vërteta të zvarritjes së kë tij projektit.
Në sektorin energjetik ekziston bindja se, përveç arsyeve teknike dhe procedurale që janë përmendur publikisht, në vonesat e viteve 2023, 2024 dhe 2025 kanë ndikuar edhe masat ndëshkuese politike të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Megjithatë, asnjëherë nuk është konfirmuar zyrtarisht se këto masa kanë qenë shkaku i drejtpërdrejtë i shtyrjes së projektit, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë një shpjegim të plotë dhe të qëndrueshëm për vonesat e njëpasnjëshme.
Kështu, për shtatë vjet me radhë, një projekt i konsideruar jetik për uljen e ndotjes së ajrit në Prishtinë, Obiliq dhe zonat përreth mbeti peng i shtyrjeve të vazhdueshme. Vetëm në pranverën e vitit 2026 nisën punimet për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, duke i dhënë fund, të paktën përkohësisht, një serie të gjatë vonesash që vazhdojnë të ngjallin pikëpyetje për arsyet e vërteta të zvarritjes së projektit.
Burime të Buletinit Ekonomik brenda KEK-ut, të cilat kanë kërkuar të mbeten anonime, thonë se e dyshimtë mbetet sidomos shtyrja e punë ve shtesë që ishin të domosodshme të kryheshin si parakusht pë r të filluar vendosja e elektrofiltrave.
Punët shtesë për delatimin e kazanëve dhe problemet me kontraktuesit
Në vitin 2025, projekti për ndërrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B” ishte shtyrë me kërkesë të BE-së, me arsyetimin se janë paraqitur disa probleme të paparashikuara me kontraktuesit. Buletini Ekonomik mëson se kjo kishte të bënte me disa punë shtesë të paraqitura e që lidheshin me ndërhyrjen në kazanët e termocentralit në atë që njihet si delatim i kazanëve. Kryerja e këtij procesi ka qenë parakusht për të filluar punët për vendosjen e elektrofiltrave kompania e kontraktuar nga Bashkimi Evropian.
“Delatimi i kazanëve, që nuk ishin paraparë fillimisht dhe që më pastaj doli të jetë parakusht i domosdoshëm për t’u plotësuar për të filluar implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B”, i kanë thënë inxhinier të KEK-ut, Buletinit Ekonomik.
Vec kësaj, inxhinierë të KEK-ut thonë se realizimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave të rinj është i ndërlikuar dhe kompleks, prandaj edhe kërkon një kohë relativisht të gjatë për ta bërë këtë punë.
Vlerësohet nga inxhinierët e këtushëm se për ta bërë vendosjen e elektrofiltrit në njërin bllok të Kosovës B, nevojitet kohë 6 deri në 9 muaj. Për këtë shkak, është paraparë që brenda një viti të bëhet ndërrimi i filtrave në njërin bllok, dhe në vitin vijues, në bllokun tjetër. E gjithë kjo me qëllim që të mos ndihet në përmasa të mëdha mungesa e energjisë elektrike, për shkakun e ndërprerjes së punës së njërës njësi të Kosovës B, përderisa të zgjasë ndërrimi i filtrave.
Pë rndryshe, me instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhet reduktimi i tërësishëm i pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali tashmë i vlerësuar si goxha i vjetër dhe relativisht i amortizuar.
Fondi prej 76,4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtij projekti kompleks rivitalizues në Kosovën B ishte siguruar tërësisht nga BE-ja qysh në vitin 2019.
Më saktësisht, kontrata për implementimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqësuesve të BE-së është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019. Me këtë kontratë ishte paraparë që ky projekt unik për të dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2) të financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet fondeve IPA. Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth instalimit të elektrofiltrave në Kosova B, është paraparë t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara.
Sidoqoftë, derisa të instalohen elektrofiltrat e planifikuar në të dy njësitë e termocentraleve Kosova B, s’do mend se do të ketë probleme serioze me ndotjen e ambientit dhe për pasojë edhe me rrezikimin e vazhdueshëm të shëndetit të popullatës rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të vendit.



